Ministria e Komunikacionit dhe Çështjeve Digjitale e Indonezisë po heton keqpërdorimin e supozuar të funksionit të inteligjencës artificiale Grok në platformën X për të prodhuar dhe shpërndarë përmbajtje pornografike. Sipas Alexander Sabar, Drejtor i Përgjithshëm i Mbikëqyrjes së Hapësirës Dixhitale, hetimet fillestare tregojnë se Grok nuk ka rregullore të qarta dhe të përshtatshme për të parandaluar prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes pornografike bazuar në fotografi reale të qytetarëve indonezianë.
Kjo mund të shkelë të drejtën e privatësisë dhe të drejtën mbi imazhin, veçanërisht kur fotografia e një personi manipulohet ose shpërndahet pa pëlqimin e tij. Ofcom, rregullatori i mediave në Britani, ka nisur një hetim ndaj X të Elon Musk për të vlerësuar nëse chatbot-i Grok AI ka prodhuar imazhe seksuale të paligjshme. Raportohet se Grok ka krijuar foto intime pa pëlqimin e personave dhe imazhe seksualizuese të fëmijëve, që në Britani konsiderohen krim.
Kryeministri Keir Starmer i quajti këto imazhe “të neveritshme” dhe “të paligjshme”, duke kërkuar që X të marrë masa të menjëhershme. X ka përjetuar kritika edhe nga Franca dhe India për të njëjtën arsye dhe ka kufizuar përdorimin e funksionit vetëm për abonentët. Kompania thotë se fshin çdo përmbajtje të paligjshme dhe pezullon përfundimisht llogaritë që e shpërndajnë atë. Ofcom do të vlerësojë gjithashtu rrezikun për fëmijët dhe në rastet më serioze mund të kërkojë bllokimin e platformës në Britani.