Këtë të hënë Gjykata e Posaçme ka vendosur të pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për të pandehurit e inceneratorit të Fierit. Kështu është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar për ish ministrin Lefter Koka, ish deputetin Alqi Bllako, ish zyrtari i Federatës Kombëtare të Futbollit Arben Dervishaj dhe 13 të pandehurit e tjerë që akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Ndërkohë më parë gjatë paradites së kësaj të hëne në Gjykatën e Posaçme është rrëzuar kërkesa e Arben Devishaj ku kërkonte që dosja të shpallej moskopetencë dhe dosja të kalonte në Gjykatën e Tiranës, pasi sipas avokatëve të tij ai ka korruptuar zyrtarë por jo zyrtarë të lartë publik.
Kujtojmë se, pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj 19 të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit, mes të cilëve, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako.
Kalimi i dosjes në gjyq u parapri nga një rikualifikim i akuzave për disa nga të pandehurit, duke iu lehtësuar pozitën penale, pasi për akuzat e reja, Kodi Penal parashikon marzhe më të buta dënimi.
Për ish-deputetin Alqi Bllako, gjykata urdhëroi SPAK-un të ndryshonte akuzën për “korrupsion të funksionarëve të lartë shtetërorë” ndaj tij në “korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas gjykatës, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako nuk konsiderohej funksionar i lartë, por funksionar publik.
Në të njëjtin arsyetim ndryshoi akuza për korrupsion edhe për biznesmenin e inceneratorëve, Klodian Zoto, italianin e pandehur Giuseppe Ciaffaglione dhe për Arjola Kodrën.
Akuzat u zbutën edhe për ish-zv/presidentin e FSHF, ArbenDervishaj, ish-mbikëqyrës i punimeve të shoqërisë konçensionare.
Gjykata rrëzoi akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit ndaj funksionarëve publikë” dhe vlerësoi se Dervishaj duhet të gjykohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe “korrupsion pasiv në sektorin privat”.
Gjykata pushoi çështjen për dy prej të akuzuarve, për Enver Sheshin, i cili ndërroi jetë gjatë hetimit, si edhe për Robert Shabanin, që ishte dënuar me herët nga një gjykatë për të njëjtin fakt penal.
Sipas SPAK, për të favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme shoqërinë koncesionare të Fierit, ish-ministri i mjedisit, Koka ka përfituar 146 milionë lekë ryshfet, ndërsa Alqi Bllako 14 milionë.
Po ashtu, rezulton se shoqëria e Klodian Zotos ka përfituar 4 milionë euro për shërbime që nuk janë kryer, por janë paraqitur situata të falsifikuara, duke i kryer vetëm në letra punimet.