India dhe Pakistani sot arritën marrëveshje për armëpushim, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i dhënë fund konfliktit mes fqinjëve të armatosur me armë bërthamore. Prej disa javësh, dy vendet rivale janë përplasur me armë, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar, për të cilin India fajësoi Pakistanin. Këto ishin përplasjet më të mëdha mes tyre ndër dekada dhe shkaktuan dhjetëra viktima civile në të dyja palët.
Në mëngjes, Pakistani nisi një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e djeshme. Kjo lëvizje shënoi tjetër përshkallëzim të madh të tensioneve mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore. Burime të sigurisë pakistaneze i thanë Radios Mashaal se operacioni mbajti emrin e koduar “Bunyanun Marsoos”, një fjalë arabe e marrë nga një varg i Kuranit që do të thotë “shtyllë e fortë”.
Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, thirri për sot një mbledhje urgjente të Autoritetit të Komandës Kombëtare, që ndër të tjera, merret me çështjen e armëve bërthamore. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir dhe i bëri thirrje palëve të gjejnë mënyra për ta shtensionuar situatën.
Rubio pati ofruar edhe ndihmën amerikane për të nisur bisedime konstruktive, që të shmangen konfliktet e ardhshme, siç raportoi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
Shërbimi i Forcave të Armatosura të Pakistanit për Marrëdhënie me Publikun (ISPR) deklaroi se u shkatërrua një depo ku India ruante raketat BrahMos. Ushtria tha se ka goditur edhe lokacione të tjera, përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot e bazën ajrore Udhampur. Gjithashtu, theksoi se ka hedhur raketa Fatah 1 ndaj dy bazave indiane.
Ushtria indiane e quajti “të papranueshëm” operacionin e Pakistanit.
Përshkallëzimi i hapur nga Pakistani me sulme me dronë dhe municione të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor. Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit, u panë disa dronë të armatosur mbi Khasa Cantt, Amritsar. Dronët armiq u shkatërruan menjëherë nga njësitë tona të mbrojtjes ajrore.
Burime të sigurisë pakistaneze pretenduan edhe se u krye një sulm i sinkronizuar kibernetik e se energjia elektrike në disa qytete u ndërpre. Të njëjtat burime, që folën në kushte anonimiteti, shtuan se pala pakistaneze ka vendosur të goditen autostradat në Indi, nëse India kryente sulme të tjera.