Lionel Messi shton një tjetër njohje globale me zbulimin e një statuje gjigante të tij duke ngritur Kupën e Botës në qytetin e Kalkutës në Indi. Një klub sportiv në Kalkuta ndërtoi një strukturë hekuri mbi 20 metra të lartë për të nderuar Messi-n gjatë vizitës së tij në Indi, si pjesë e “GOAT Tour”.
Kapiteni i ekipit Kombëtar argjentinas do të vizitojë Kalkutën, Hyderabadin, Mumbain dhe Nju Delhin. Statuja ndodhet në lagjen “Lake Town” dhe tregon Messi-n duke ngritur trofeun e Kupës së Botës 2022 në Katar. Ajo u ndërtua brenda 40 ditësh dhe do të përurohet me pjesëmarrjen e lojtarit argjentinas. “Kjo është një statujë 22 metra e lartë. Nuk ka asnjë statujë tjetër të Messit kaq të madhe. E ndërtuam për 40 ditë”, tha Ministri i Bengalit Perëndimor, Sujit Bose.
Ndërkaq, ylli argjentinas foli për dhuratën e tij hyjnore, sakrificat, Kupën e Botës në Katar dhe jetën e tij të re në Shtetet e Bashkuara, ku u nderua me “çelësin” e qytetit.
Zoti më dha një dhuratë, ai më zgjodhi mua.
Messi theksoi se, megjithëse shumë njerëz në botë posedojnë talent të jashtëzakonshëm natyror në sport, arritja e njohjes profesionale kërkon sakrifica të konsiderueshme që jo të gjithë janë të gatshëm t’i bëjnë. Ai tashmë ka investime në biznese të ndryshme, duke përfshirë aksionet e tij tek Inter Miami, një rrjet hotelesh dhe një markë pijesh. Lidhur me përvojën e tij në Shtetet e Bashkuara, Messi shprehu kënaqësinë e tij me jetën në Miami:
Që kur kam mbërritur në Miami, ka qenë spektakolare. Jeta në këtë qytet është e pabesueshme dhe pastaj dashuria nga të gjithë që nga dita e parë ka qenë e mrekullueshme, kështu që jam shumë mirënjohës.