Pritet që Apple të rezervojë numrin më të madh të risive dhe përmirësimeve për modelet e veta iPhone 17 Pro. Seria e re iPhone 17 pritet të prezantohet në muajin shtator të këtij viti. Modelet iPhone 17 Pro thuhet se do të kenë një kornizë prej alumini, ndryshe nga iPhone 15 Pro dhe iPhone 16 Pro që përdorin titan, ndërsa modelet nga iPhone X deri te iPhone 14 Pro janë prodhuar prej çeliku inox. Pjesa e pasme e pajisjes pritet të ketë një dizajn të ri që kombinon aluminin dhe xhamin.
Pritet që modelet iPhone 17 Pro të kenë një modul të madh kamere në formë drejtkëndëshi me skaje të rrumbullakosura. Apple planifikon të ruajë skemën e tanishme trekëndore të lenteve në pjesën e pasme. Ekrani i iPhone 17 Pro pritet të ketë një shtresë të re antireflektuese, e cila do ta bëjë më rezistent ndaj gërvishtjeve krahasuar me modelet e mëparshme.
iPhone 17 Pro Max thuhet se do të ketë një dizajn pak më të trashë, çka do të mundësojë vendosjen e një baterie më të madhe. Pritet që modelet iPhone 17 Pro të pajisen me çipin e ri A19 Pro të Apple, i cili do të prodhohet me teknologjinë e avancuar 3nm të gjeneratës së tretë nga kompania TSMC. Ashtu si më parë, priten përmirësime të lehta në shpejtësi dhe efikasitet energjetik krahasuar me modelet aktuale.
Të katër modelet e iPhone 17 pritet të përdorin çipin Wi-Fi 7 të projektuar nga Apple, në vend të çipit nga Broadcom, që është përdorur deri më tani. Të gjithë modelet iPhone 17 do të kenë një kamerë të përmirësuar në pjesën e përparme me 24 megapikselë, që është dy herë më shumë se kamera 12 MP e iPhone 16. Modelet iPhone 17 Pro pritet të kenë një kamerë telefoto të përmirësuar me 48 megapikselë, një rritje e ndjeshme krahasuar me 12 MP që ka iPhone 16 Pro.
Sipas Jon Prosser nga kanali në YouTube Front Page Tech, iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max do t’i lejojnë përdoruesit të regjistrojnë video njëkohësisht me kamerën e përparme dhe atë të pasme, drejtpërdrejt brenda aplikacionit Camera. Apple thuhet se e ka testuar regjistrimin video në 8K në modelet iPhone 16 Pro, por kjo veçori ende nuk është bërë e disponueshme. Duke qenë se të gjithë sensorët e pasmë të iPhone 17 Pro pritet të jenë 48 MP, ka shumë gjasa që këto modele të jenë të parat që do të ofrojnë mbështetje për video në 8K.
Fillimisht u përfol se vetëm iPhone 17 Pro Max do të ketë 12 GB RAM, por më pas në këtë listë u përfshi edhe iPhone 17 Pro. Kjo rritje e memories do të përmirësojë funksionet e inteligjencës artificiale të Apple (Apple Intelligence), si dhe multitasking-un. Të gjithë modelet e iPhone 16 kanë 8 GB RAM Të gjitha modelet e serisë iPhone 17 thuhet se do të kenë ndryshime të brendshme që do të ndihmojnë në shpërndarjen më efikase të nxehtësisë. Për modelet Pro përmendet përdorimi i një sistemi ftohjeje me dhomë me avull (vapor chamber).