Në ditën e gjashtëmbëdhjetë të luftës në Iran, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump foli përsëri për një përfundim të mundshëm të konfliktit, duke thënë se “ai nuk është ende gati, pavarësisht gatishmërisë së Teheranit”, sepse “kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Për më tepër, duke folur për Udhëheqësin e ri Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, Trump shprehu dyshime se ai mund të jetë ende gjallë:
Kam dëgjuar se nuk është gjallë dhe nëse është, duhet të bëjë diçka shumë të zgjuar për vendin e tij: të dorëzohet.
Ndërkohë, sulme të reja në Liban ndodhën brenda natës: Forcat izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, kryen dy goditje që vranë 14 persona, përfshirë katër fëmijë. IRGC reagoi menjëherë, duke paralajmëruar:
Ne do ta ndjekim dhe do ta vrasim Netanyahun. Pasiguria mbi fatin e kryeministrit kriminel sionist dhe mundësia e vdekjes ose e arratisjes së tij me familjen nga territoret e pushtuara, zbulojnë krizën dhe paqëndrueshmërinë e sionistëve.
Nëse ky vrasës kriminal fëmijësh është ende gjallë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim dhe ta vrasim me të gjitha forcat tona, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.
Më herët, Amerika sulmoi ishullin iranian Kharg, përmes të cilit kalon rreth 80% e eksporteve të naftës së Iranit. Po ashtu, iu ka kërkuar vendeve të tjera të përfshira, të dërgojnë anije për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit, duke bërë të ditur se disa shtete janë zotuar të kontribuojnë në sigurinë e saj.
Në një tjetër zhvillim, gjatë natës, Izraeli u përball me një seri sulmesh ajrore. Sipas raportimeve të “Times of Israel”, që nga mesnata janë regjistruar pesë sulme. Dy persona mbetën të plagosur lehtë në qytetin Holon, në qendër të vendit, pas goditjes së dytë.
Ndërkohë, shpërthime të forta u raportuan edhe në Bahrein gjatë natës. Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite njoftuan se kanë ndërprerë disa sulme të nisura nga Irani.