Irani deklaroi se përgjigjja e tij ndaj planit të paqes të SHBA-ve ishte “bujare dhe racionale”. Por, presidenti Donald Trump e etiketoi si “të papërshtatshme”.
Media shtetërore iraniane raportoi se Teherani e hodhi poshtë propozimin e fundit të SHBA-ve sepse “ky do të ishte dorëzim ndaj kërkesave të tepërta të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump”.
Sipas medias së regjimit, “kundërpropozimi iranian theksoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të paguajnë dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe rikonfirmoi sovranitetin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit”.
Transmetuesi iranian Press TV deklaroi:
Propozimi i SHBA-ve ishte nënshtrim i Teheranit ndaj kërkesave të Trump-it.
Pas këtyre zhvillimeve, çmimet e naftës u rritën me më shumë se 3%, në mungesë të një marrëveshjeje. Nafta e papërpunuar Brent tejkalon 100 dollarë për fuçi, duke u rritur me 3.99% në 105.31 dollarë. Nafta e papërpunuar WTI rritet me 4.6%, në 99.89 dollarë.
Gazi natyror po rritet gjithashtu, me 1.71% në 44.90 euro për megavat orë në Amsterdam. Ari kundërshton trendin, duke rënë me 1.34%.
Një takim i ministrave të jashtëm të BE-së është planifikuar për sot, në Bruksel.
Ndërkaq, Parisi dhe Londra, nesër do të kryesojnë një takim të ministrave të Mbrojtjes, kushtuar situatës në Ngushticën e Hormuzit.
Ministrat britanikë dhe francezë të mbrojtjes do të bashkë-kryesojnë një video-konferencë me homologët e tyre nga vendet që janë të gatshme të kontribuojnë në një mision për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, siç njoftoi Londra zyrtare dje në mbrëmje.
40 vendet e përfshira “pritet ta përdorin takimin për të diskutuar dhe finalizuar kontributet e tyre ushtarake në misionin mbrojtës për të rihapur e siguruar Ngushticën e Hormuzit kur kushtet ta lejojnë, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes në një deklaratë. Roli ynë do të jetë të sigurohemi që jo vetëm të flasim, por edhe të jemi gati të veprojmë.