Në seancën e radhës gjyqësore për çështjen e “Sterilizimit”, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e të gjitha provave digjitale si të pavlefshme dhe pushimin e çështjes penale ndaj tij.
Beqaj ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e laboratorit të SPAK, duke pretenduar se ky institucion nuk ka paraqitur asnjë dëshmi akreditimi, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga pala mbrojtëse.
“Kam dyshim te laboratori i SPAK. Laboratori i SPAK nuk ka akreditim, ose nëse e ka, nuk e tregon atë. Tri herë avokati im ka pyetur a është laboratori i akredituar. BKH thotë, kjo i takon SPAK. SPAK nuk ka kthyer përgjigje”, ka deklaruar Beqaj.
Sipas ish-ministrit, SPAK përdor programe kompjuterike (software) të vjetruara, çka i bën dokumentet e siguruara të papërdorshme si provë ligjore.
Ish-ministri thotë se akuza e vjedhjes bazohet mbi këto dukumente që nuk mund të shërbejnë si provë, ndaj akuza duhet rrëzuar.
“Provat digjitale të përjashtohen. Kërkoj të përjashtohet si provë “aneksi 5”, pasi është një letër pa firmë, pa vulë. As dokument nuk mund të quhet, jo më provë. Te drafti i Kodit të ri penal ka përkufizim “vjedhja”. Neni i kodit penal në komunizëm nuk ka përkufizim. Të tillë kanë vijuar edhe pas. Përkufizimi më i mirë është në kodin e kohës së Zogut. Në 18 kode penale të vendeve të huaja, që ju kam sjellë, e kanë një përkufizim të vjedhjes. Unë si ministër, as pranoj faturë, as firmos pagesë. Ligji nuk saktëson se cila është sjellja e gabuar. Kërkoj pushimin e çështjes penale. Unë nuk kam vjedhur. As Ilir Rrapaj nuk ka vjedhur”, shprehet Beqaj.