Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, legjendës së komentimit në sportin shqiptar.
Komentatori i shquar i Radio Tiranës, zëri unik i futbollit shqiptar, që ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, mjeshtër i fjalës dhe profesionist i rrallë, që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la, ndërroi jetë pasi jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur.
Prehu në paqe Ismet Bellova! Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar. Do të të kujtoj gjithmonë me respekt dhe mall, shkruan Duka.
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934, në një familje dibrane. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, si edhe iu përkushtua me pasion e dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, krahas gazetarisë sportive që e bëri të mirënjohur. Ishte bashkëshorti i Mjeshtres së Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.
Rrugëtimin në sport e nisi në vitin 1948, kur u shpall kampion në Pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, profesor Bellova u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Në vitin 2004 u krijua çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, si edhe u vlerësua me Çmim Karriere, dy herë çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë.
Te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, lë pas kujtimin e gjallë të zërit unik që përcolli emocionet e forta të futbollit.