Aktualitet

Lamtumirë profesor Ismet Bellova, legjendë e komenteve sportive!

U shua në moshën 91 vjeçare, Ismet Bellova, një prej figurave më të mëdha të gazetarisë sportive në vend. Homazhet zyrtare në nderim të legjendës së mikrofonit, zhvillohen nesër në orarin 10:00-12:00, në hollin e RTSH-së.

Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934, në një familje dibrane. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, si edhe iu përkushtua me pasion e dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, krahas gazetarisë sportive që e bëri të mirënjohur. Ishte bashkëshorti i Mjeshtres së Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimin në sport e nisi në vitin 1948, kur u shpall kampion në Pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, profesor Bellova u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Në vitin 2004 u krijua çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, si edhe u vlerësua me Çmim Karriere, dy herë çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë.

Te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, lë pas kujtimin e gjallë të zërit unik që përcolli emocionet e forta të futbollit.