Izraeli është kualifikuar për në finalen e madhe të Eurovisionit, e cila do të mbahet të shtunën, mes një klime të tensionuar dhe protestash që kanë shoqëruar pjesëmarrjen e tij në këtë edicion.
Gjatë provës së pasdites të së enjtes, gjashtë persona hynë në arenë me bilbila dhe flamuj të mëdhenj palestinezë, duke penguar përkohësisht performancën e këngëtares 24-vjeçare, e cila interpreton këngën “New Day Will Rise”. Organizatorët e Eurovisionit, transmetuesi zviceran SRG SSR, njoftuan se protestuesit u larguan menjëherë nga arena St Jakobshalle në Bazel, sipas rregullave për sigurinë.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka shkaktuar debate të forta për shkak të situatës së përshkallëzuar në Gaza, ku ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet dhe vijon bllokadën ndaj ndihmave humanitare. Media dhe opinioni publik në disa vende, përfshirë Spanjën, Irlandën dhe Slloveninë, kanë ngritur pyetje mbi përfshirjen e Izraelit në këtë garë muzikore, ndërsa në rrugët e Bazelit janë mbajtur protesta të vogla.
Pavarësisht incidentit gjatë provës, performanca e Raphael në gjysmëfinale kaloi pa ndërprerje. Këngëtarja deklaroi për BBC se ajo dhe ekipi i saj ishin stërvitur për të kënduar nën presion dhe me zhurma shpërqendruese, për të qenë të përgatitur për çdo situatë.
Kur u shpall kualifikimi i saj për në finale, Raphael u emocionua, bashkoi duart dhe dërgoi një puthje drejt qiellit. Kënga e saj, pavarësisht polemikave, është vlerësuar lart nga bastet ndërkombëtare dhe shihet si një nga konkurrentet potenciale për fitore.