Me ceremoni shtetërore, sot Izraeli përkujton gjashtë milion viktimat hebreje të Holokaustit dhe fillimisht, këtë e bëri me tingujt e një sirene mbarëkombëtare. Në orën 10:00 të mëngjesit, jeta publike u ndal për dy minuta: shoferët ndaluan makinat ndërsa njerëzit aktivitetet e tyre, për të qëndruar në heshtje.
Ceremonia qendrore vijoi më tej në memorialin Yad Vashem në Jerusalem. Dita e Përkujtimit të Holokaustit po shënohet në kohën kur Izraeli është në luftë me Hamasin palestinez. Që nga fillimi i konfliktit të Gazës, në tetor të vitit 2023, me qindra e mijëra njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës.
Njëzet e katër pengje izraelite, si dhe trupat e 35 të rrëmbyerve, mbeten në duart e milicisë islamike palestineze Hamas. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim dje në mbrëmje në Yad Vashem.
Ai tha se si Hamasi ashtu edhe nazistët kërkuan shkatërrimin e popullit hebre. Netanyahu deklaroi se lufta kundër Hamasit do të vazhdojë derisa të gjithë pengjet të kthehen e “grupi terrorist” të shpërbëhet. Po ashtu, Netanyahu përsëriti qëndrimin se Izraeli nuk do të lejonte Iranin të prodhonte armë bërthamore.
Gjatë epokës naziste, nga viti 1933 e deri më 1945-ën, rreth gjashtë milion hebrenj u vranë. Sot, afro 120 mijë të mbijetuar të Holokaustit ende jetojnë në Izrael, rreth 13 mijë më pak se një vit më parë.
Në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara krijoi zyrtarisht Ditën Botërore të Përkujtimit, më 27 janar duke i ftuar vendet anëtare të kujtojnë viktimat e Holokaustit dhe të promovojnë programe arsimore për të parandaluar gjenocidet e ardhshme.
Termi “Shoah” rrjedh nga hebraishtja dhe do të thotë “katastrofë” ose “shkatërrim”. Përdoret për të përshkruar shfarosjen sistematike të rreth gjashtë milion hebrenjve europianë nga regjimi nazist dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përveç hebrenjve, u persekutuan dhe u shfarosën edhe minoritete të tjera, duke përfshirë romët, homoseksualët, personat me aftësi të kufizuara, Dëshmitarët e Jehovait e kundërshtarët politikë.
Të kujtosh Shoah do të thotë jo vetëm nderim i viktimave, por edhe njohje të mekanizmave që çuan në mizori të tilla. Nga propaganda te indoktrinimi, nga diskriminimi te deportimi, çdo fazë e Shoah-ut përfaqëson një paralajmërim kundër indiferencës dhe urrejtjes.