Moti i keq ka marrë një jetë në Francë. Një grua 50-vjeçare gjeti vdekjen në Guingamp, në perëndim të shtetit francez për shkak të stuhive që goditën departamentin Côtes d’Armor. Gruaja po shkonte me makinë në punë në një rrugë të përmbytur. Ndërsa përpiqej të kalonte një pjesë të aksit, u bllokua dhe për fat të keq nuk pati asnjë shans për të mbijetuar.
Ardhja e vjeshtës ka sjellë një valë moti të ashpër në një tjetër vend të Europës, duke prekur veçanërisht Italinë veriperëndimore. Një alarm portokalli u lëshua nga dje për pjesë të Lombardisë e Ligurias.
Shirat e rrëmbyeshëm filluan gjatë natës, veçanërisht në Milano ku deri në mëngjes, 30 milimetra shi ranë në pjesën veriore të kryeqendrës lombarde e mbi 80 milimetra, në Paderno Dugnano dhe Seveso. Rrugët u përmbytën e nënkalimet u mbyllën në zonën e Komos. Shkollat u mbyllën në pjesën më të madhe të Ligurias, përveçse në Imperia. Lugina e Bormidës u prek në mënyrë të veçantë, me rrëshqitje dheu e përmbytje.
Këshilltari i Mbrojtjes Civile të Milanos, Marco Granelli, u kërkoi banorëve të tregojnë “kujdes maksimal”. Kontrollet e nënkalimeve janë aktive dhe barriera të lëvizshme u vendosën në lagjen Ponte Lambro në orën 06:00 të mëngjesit, si masë paraprake. Monitorimi i nivelit të kanalizimeve u aktivizua po ashtu.
Trenitalia njoftoi se ka pezulluar shërbimet e trenave në San Giuseppe di Cairo në linjat Savona-Torino dhe Savona-Alessandria. Linja Breil-Ventimiglia nuk po funksionon. Në linjën Ventimiglia-Gjenoa, trafiku është ngadalësuar ndjeshëm midis Pietra Ligure e Finale Ligure. Ka gjithashtu vonesa në linjën Genoa-Torino midis Arquata Scrivia-s dhe Novi Ligure.