Aktori i njohur Josh Duhamel ka vendosur t’i largohet shkëlqimit të Hollywood-it për një stil jetese më të thjeshtë dhe autentik, duke u vendosur në një kasolle të ndërtuar prej tij në mes të pyjeve të Minesotës.
Ylli i “Transformers”, në një intervistë për “Parade”, tregoi se motivimi kryesor i këtij vendimi ishte nevoja për qetësi dhe shkëputje nga shpërqendrimet e shoqërisë moderne.
Një arsye pse e ndërtova shtëpinë time në Minesota, thellë në pyll, është sepse është larg gjithçkaje. Dyqani më i afërt është 64 kilometra larg. Atje, jeta ka të bëjë me kujdesin për njëri-tjetrin – krijimin e kujtimeve dhe kalimin e kohës me familjen dhe miqtë
-u shpreh ai.
Duhamel, i cili jeton me bashkëshorten e tij Audra Mari, djalin e tyre Shepherd dhe djalin 11-vjeçar Axl nga martesa me këngëtaren Fergie, ka kaluar rreth 15 vite duke punuar për të realizuar këtë shtëpi.
Ai rrëfeu se në fillimet e projektit ishte i detyruar madje të lante enët në liqenin pranë, derisa përfundoi punimet bazë.
Më solli më afër thelbit të jetës. Ka diçka në të që të mbush shpirtin në shumë mënyra
Duke u rritur në Dakotën e Veriut, Duhamel e ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë me natyrën, e cila e shoqëroi që fëmijë, kur kalëronte në zonat rurale.
Tani, në Minesota, ai gjen paqe duke punuar me traktorin e tij dhe duke kaluar kohë në natyrë me fëmijët.
Jam gjithmonë atje duke bërë diçka, thjesht duke kaluar kohën. Është si një shesh lojërash i madh
-tha ai, duke shtuar se gëzimi më i madh është të shohë fëmijët e tij të përjetojnë të njëjtën lidhje me natyrën.
Josh Duhamel, i cili fitoi famë fillimisht me rolin e Leo du Pres në serialin “All My Children”, ku u shpërblye me çmimin “Daytime Emmy” në vitin 2002, u bë i njohur ndërkombëtarisht me rolin e Kapiten William Lennox në sagën kinematografike “Transformers”.
Përveç karrierës së tij të suksesshme në Hollywood, aktori ka zgjedhur një jetë të re larg qendrës së vëmendjes, duke u përqendruar në familjen dhe vlerat që i konsideron thelbësore.