Së fundmi janë publikuar të dhënat e Raportit Botëror të Lumturisë, i cili bazohet në të dhënat e sondazheve globale në rreth 150 vende dhe tregon se cilët janë vendet që kanë popullsinë më të lumtur. John Helliwell, një nga tre redaktorët themelues të këtij raporti tha se:
Surpriza e madhe ishte se globalisht, në një mënyrë të pakoordinuar, ka pasur rritje shumë të mëdha në të tri format e dashamirësisë: Bamirësia, ndihma për një të huaj dhe vullnetarizmi.

Sipas tij për të pestin vit me radhë, Finlanda vijon të kryesojë listën si vendi më i lumtur në botë, sipas renditjes së Raportit të Lumturisë Botërore bazuar kryesisht në vlerësimet e jetës nga Sondazhi Botëror i “Gallup”. Vendi nordik dhe fqinjët e tij, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Suedia dhe të gjitha qëndrojnë shumë mirë në masat që përdor raporti për të shpjeguar gjetjet e tij si jetëgjatësi e shëndetshme, mbështetje sociale në kohë telashesh, korrupsion i ulët dhe besim i lartë shoqëror, bujari në një komunitet ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin dhe liri për të marrë vendime kyçe të jetës.
Në 10 vjetorin e tij, raporti shqyrton lumturinë në mbarë botën, kombet më të lumtura, ato në fund të shkallës së lumturisë, plus faktorët që priren të çojnë në lumturi më të madhe. Shqipëria është renditur në vendin e 90-të për vitin 2022 nga 146 vende. Kujtojmë se një vit më parë Shqipëria ishte e renditur në vendin e 93-të, duke u ngjitur me 3 vende për një vit. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut është në vendin e 89, Serbia renditet në vendin e 43-të, Mali i Zi në vendin e 75-të, Greqia në të 58-in. Nga ajo çka shihet në raport, befason Kosova, e cila renditet në vendin e 32. Ndërkohë në vendin e fundit, (146) renditet Afganistani.