Lifestyle Travel

Ju prezantojmë me 5 ‘perlat’ e fshehura të Mesdheut që janë ideale për disa ditë pushimi të paharrueshme…

Bekimet dhe perlat e Mesdheut janë të njohura dhe të bollshme, por nëse këtë verë të tundon diçka ndryshe, hidh sytë nga këto destinacione më pak të eksploruara dhe brigje alternative europiane, po aq madhështore ndoshta edhe më shumë për të kaluar disa pushime të paharrueshme…

1. One&Only Portonovi, Mali i Zi

Shpesh e quajtur riviera më me stil e re e Europës, “One&Only Portonovi” ndodhet në hyrje të Gjirit të Bokës, gjiri më i madh në bregdetin e mrekullueshëm dhe të lakuar të Adriatikut. Këtu, ujërat e kristalta shkëlqejnë poshtë majave të egra të mbuluara me pisha, ndërsa një udhëtim me makinë ose me varkë përgjatë bregdetit zbulon qytete mesjetare me kalldrëm, gjire të fshehura dhe plazhe të paprekura. Me pamje mahnitëse nga deti dhe malet në çdo cep, dhomat elegante, suitat dhe vilat me pishina private të One&Only ofrojnë një bazë magjepsëse për të përjetuar këtë xhevahir të Europës ende të pashkelur. Gjithashtu, hoteli ofron një spa moderne Chenot, me programe të famshme shëndeti dhe mirëqenieje.

2. Gundari, Folegandros, Greqi

I vogël dhe i egër, ishulli Folegandros në Kiklade dallon nga ishujt e tjerë grekë për peizazhin e tij dramatik e të thepisur (ndërprerë vetëm nga disa fshatra të këndshëm) dhe ende shumë më pak i mbipopulluar sesa fqinjët e tij më të njohur. Me një vendndodhje mbi shkëmbin që përballet me Egjeun, Gundari është një hotel i ri përrallor, me 25 suita ëndërrimtare, secila me pishinën e saj të pafundme. Me një sipërfaqe prej 80 hektarësh, hoteli ka gjithashtu një fermë organike (që furnizon restorantin e tij pra “nga ferma në pjatë”), një bar të vogël vere dhe një pishinë mahnitëse buzë shkëmbit me bar koktejesh brenda ujit.

3. White Suites & Villas, Ishujt Azore, Portugali

Ka aq shumë bukuri, sa që shpesh quhet “përgjigjja europiane ndaj Hawaii-t”. Magjike dhe të izoluara në mes të Atlantikut, Azoret përbëhen nga nëntë ishuj me peizazhe vullkanike, kodra të gjelbërta, liqene brenda kraterëve dhe burime termale. São Miguel është më i madhi dhe ofron hotele e restorante më tërheqëse (por edhe ishujt më të vegjël ia vlejnë për një vizitë). Në bregun jugor, mbi një shkëmb të lartë, “White Suites & Villas” është një hotel bashkëkohor dhe idilik. Me një pishinë të pafundme mahnitëse, restorant “nga ferma në pjatë”, ambiente të brendshme të bardha dhe me elemente druri të zbardhur nga deti, ofron vende të shumta ku mund të shijosh një gotë ndërsa dielli zhytet në horizont. Akomodimi minimalist dhe elegant përfshin nëntë suita dhe dy vila, të gjitha me pamje spektakolare nga oqeani.

4. The Gallivant, East Sussex, Mbretëri e Bashkuar

Camber Sands, në bregun e East Sussex, është një arratisje e preferuar e londinezëve, me dunat e saj të valëzuara me rërë dhe dallgët e fuqishme të Kanalit Anglez, për ata që guxojnë të zhyten në ujë. Këtu ndodhet The Gallivant, një hotel i vogël boutique buzë detit, që kombinon ajrin e freskët të bregdetit me ambiente të kuruara me stil dhe dhoma të dizajnuara me kujdes, duke ruajtur një ndjenjë nostalgjie bregdetare. Pozicioni i tij është ideal edhe për të vizituar qytetin historik të Rye, si dhe kantinat përreth (përfshirë edhe vreshtat organike dhe biodinamike të Tillingham). Në hotel, restoranti Harry’s është një vend i bukur për të shijuar kuzhinën bregdetare, i fshehur pas dunave.

 

5. Les Bassans, Bretanja, Francë

Teksa të apasionuarit pas detit në Francë tërhiqen zakonisht nga plazhet e famshme të jugut, ka alternativa po aq magjepsëse për të zbuluar. Bregu i mrekullueshëm i Granitit Roz në Bretanjë e ka marrë emrin nga formacionet shkëmbore me ngjyrë rozë që e përshkojnë. Pikërisht këtu ka hapur dyert së fundmi “Les Bassans”. Duke u frymëzuar nga vendndodhja e tij, me arkitekturë unike, 25 dhoma dhe suita me pamje nga deti dhe një restorant me kuzhinë deti në stilin nautik të viteve 1930, hoteli të zhyt në këtë peizazh që ndryshon vazhdimisht. Për t’iu afruar edhe më shumë natyrës së egër, terreni i thyer eksplorohet më së miri me biçikletë, në këmbë ose me varkë.