Aktori dhe producenti amerikan, Justin Baldoni, ka forcuar ekipin e tij ligjor në mes të betejës gjyqësore me aktoren Blake Lively, duke angazhuar avokaten e njohur Alexandra Shapiro, e cila ka përfaqësuar më herët emra të njohur si Sean “Diddy” Combs dhe Sam Bankman-Fried.
Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura më 15 shtator, Shapiro i është bashkuar zyrtarisht ekipit mbrojtës të Baldonit dhe kompanisë së tij Wayfarer Studios, raportoi “DailyMail”.
Ky zhvillim vjen pasi një akuzues i dytë ka dalë në skenë, duke pretenduar se ka pasur “ndërveprime të përsëritura negative” me Baldonin dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë “abuzim verbal”.
Ai gjithashtu ka pohuar se producentit iu ndalua hyrja në sheshin e xhirimeve të një projekti tjetër të mëparshëm, ndërsa kishte kërkuar përjashtimin e tij nga aktivitetet e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun.
Nga ana tjetër, Blake Lively ka paraqitur një mocion të ri në gjykatë, duke kërkuar dëmshpërblim të trefishtë, mbulimin e tarifave ligjore dhe kompensim ndëshkues ndaj kompanisë së Baldonit.
Ajo argumenton se padia për shpifje ndaj saj është një reagim hakmarrës pas denoncimeve të saj për ngacmim, ndërsa e akuzon kompaninë se po përpiqet të fshehë sjellje të paligjshme përmes sulmeve personale.
Avokatët e aktores kërkojnë që gjykata ta shpallë atë “të paditurën mbizotëruese” dhe t’i japë të drejtën për kompensim të plotë.
Për momentin, përfaqësuesit e Baldonit nuk kanë dhënë komente mbi zhvillimet e fundit.