Beteja ligjore mes aktores së njohur Blake Lively dhe specialistes së PR-it në mediat sociale, Jed Wallace, ka pësuar një kthesë të fortë, pasi gjykata vendosi të rrëzojë padinë ndaj Wallace dhe kompanisë së saj, “Street Relations, Inc.”, për shkak të mungesës së juridiksionit në Nju Jork.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga “Page Six”, gjykatësi Lewis Liman vendosi të miratojë kërkesën e Wallace për pushimin e çështjes, duke argumentuar se Lively nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Wallace kishte kryer ndonjë veprim që do ta vinte atë nën juridiksionin e shtetit të Nju Jorkut. Wallace, e cila banon në Teksas, nuk kishte lidhje të mjaftueshme me shtetin ku u ngrit padia.
Blake Lively kishte akuzuar më herët Wallace për përfshirje në një fushatë shpifëse kundër saj, duke pretenduar se ajo ishte angazhuar nga ekipi i PR-it të aktorit Justin Baldoni për të përhapur përmbajtje denigruese në rrjetet sociale.
Sipas padisë, Wallace “e përdori si armë një ushtri dixhitale” për të dëmtuar imazhin e Lively-t – pretendime të cilat vetë Wallace i ka mohuar me forcë.
Ky konflikt është pjesë e një përplasjeje më të gjerë mes Lively dhe Baldoni-t, të cilët janë bashkë-yje në filmin “It Ends With Us”. Në dhjetor të vitit 2024, Lively e paditi Baldonin në Departamentin e të Drejtave Civile të Kalifornisë, duke e akuzuar atë për ngacmim seksual dhe hakmarrje përmes dëmtimit të reputacionit të saj.
Për momentin, gjykata ka rrëzuar vetëm padinë ndaj Wallace për arsye procedurale, ndërsa përplasja mes Blake Lively dhe Justin Baldoni mbetet ende në proces.