Justin Bieber do të jetë një nga emrat kryesorë të spektaklit historik që do të zhvillohet gjatë pushimit mes pjesëve të finales së Kupës së Botës FIFA 2026, duke shënuar një tjetër rikthim të madh në skenë pas viteve të vështira që kaloi për shkak të problemeve shëndetësore.
Këngëtari kanadez do të performojë më 19 korrik në New York, në shfaqjen e parë të këtij lloji në historinë e finaleve të Kupës së Botës, së bashku me emra të mëdhenj të muzikës botërore si Madonna, Shakira dhe grupi koreano-jugor BTS.
Spektakli, i cili do të zgjasë rreth 11 minuta, do të përfshijë gjithashtu performanca nga Burna Boy, dirigjenti i njohur Gustavo Dudamel, kori PS22 në bashkëpunim me Coldplay, si dhe personazhet ikonike të Sesame Street.
Shfaqja është organizuar në mbështetje të FIFA Global Citizen Education Fund, një iniciativë që synon të mbledhë 100 milionë dollarë për financimin e arsimit të fëmijëve në mbarë botën.
Kupa e Botës FIFA i bashkon njerëzit në një mënyrë që nuk e bën asnjë ngjarje tjetër
-u shpreh Bieber, duke folur për pjesëmarrjen e tij në këtë spektakël.
Për artistin, kjo performancë vjen pas një periudhe të vështirë në karrierë. Në vitin 2022 ai u detyrua të anulonte turneun botëror “Justice”, pasi u diagnostikua me sindromën Ramsay Hunt, një gjendje neurologjike që i shkaktoi paralizë të përkohshme në fytyrë.
Në pranverën e këtij viti, Bieber bëri rikthimin e shumëpritur në skenë gjatë festivalit Coachella në Kaliforni, në koncertin e tij më të madh në katër vitet e fundit.
Gjatë performancës ai interpretoi disa prej hiteve që e bënë të famshëm, mes tyre “Baby”, “Never Say Never”, “One Time” dhe “Beauty and the Beat”, ndërsa në ekranet gjigante shfaqeshin pamje nga videoklipet e tyre origjinale në YouTube.
Tani, me pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Botës FIFA 2026, Justin Bieber pritet të rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes globale, në një spektakël që organizatorët e konsiderojnë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore dhe sportive të vitit.