Sport

Juventusi hyn në garë për sulmuesin kosovar?

Juventusi ka kontaktuar klubin francez Lille për të marrë informacion mbi një transferim të mundshëm të sulmuesit kosovar, Edon Zhegrova.

Lajmi u bë i ditur nga mediat sportive italiane, përfshirë “Corriere dello Sport” dhe “Tribuna.com”.

Ky interes vjen në ditët e fundit të merkatos verore, kur bardhezinjtë kërkojnë të forcojnë repartin ofensiv.

Megjithatë, operacioni paraqitet i vështirë për shkak të situatës së ndërlikuar brenda klubit, veçanërisht në lidhje me largimin e Nicolò Gonzalez, që duhet të zgjidhet përpara çdo lëvizjeje tjetër.

Në garë për Zhegrovën mbetet edhe Olympique Marseille, i cili konsiderohet si rivali më i fortë i Juventusit.

Sipas burimeve pranë klubit francez, bisedimet me Lille janë në fazë të avancuar dhe transferimi i Zhegrovës është shpallur prioritet për skuadrën e Ligue 1.

Sulmuesi kosovar shihet si një nga talentet më premtues të momentit, dhe gara mes dy klubeve të mëdha europiane pritet të marrë drejtim në ditët e ardhshme.