Bota

Kaja Kallas: Largimi i Amerikës nga Europa, nuk filloi me presidentin Trump!

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha se largimi gradual i Shteteve të Bashkuara nga Europa, nuk është një zhvillim i lidhur vetëm me presidencën e Donald Trump-it. Por, e përshkroi si një proces afatgjatë që ka nisur prej vitesh dhe me të cilin Europa duhet të përshtatet urgjentisht.

Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Oslo, Kallas theksoi se “kontinenti europian përballet me realitete të reja gjeopolitike, jo vetëm për shkak të Rusisë agresive, por edhe të ndryshimit të natyrës së aleancës transatlantike me SHBA-të”.

Largimi i SHBA-ve nga Europa është një proces afatgjatë. Nëse shohim politikën transatlantike dhe vendimet e administratave amerikane ndër vite, kjo nuk ka filluar me presidentin Trump. Ka shumë konvergjencë në politikat e administratave të ndryshme, vuri në dukje Kallas.

Zyrtarja e lartë paralajmëroi se është e gabuar të mendohet se ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike lidhen vetëm me personalitete apo cikle zgjedhore, duke nënvizuar se “bëhet fjalë për një prirje strategjike që kërkon reflektim dhe veprim nga BE-ja”.

Kryediplomatja e BE-së u ndal edhe te rreziku i shtimit të interesit për armët bërthamore, duke theksuar se ky fenomen ka marrë hov pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Largimi nga mospërhapja ka filluar me luftën e Rusisë, sepse shumë vende panë se kërcënimi me armë bërthamore funksionon. Vende me “oreks territorial” mendojnë se duke pasur armë bërthamore mund të marrin atë që duan, ndërsa vendet që ndihen të kërcënuara nga fqinjët, besojnë se kjo është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.

Sipas Kallas-it, kjo prirje përbën një rrezik serioz për rendin botëror dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Sa i përket rendit botëror, ky është zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm.