Bota

Ukraina në pritje të bisedimeve, ndërsa shtohen sulmet vdekjeprurëse ruse!

Rusia nuk ndal bombardimet në Ukrainë. Në orët e para të mëngjesit pati sulme ajrore të vazhdueshme në qytetin Zaporizhia e që nisën pak pas mesnate. Guvernatori rajonal, Ivan Fedorov, tha se të paktën gjashtë gra u plagosën në goditjen e një materniteti.

Fedorov shtoi se dy nga të lënduarat po iu nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore. Në një postim në Telegram që tregonte pasojat, e përshkroi sulmin si “tjetër dëshmi të një lufte të drejtuar kundër jetës”.

Më tej, shtoi se një sulm i dytë ndaj qytetit, që ndodhet më pak se 50 kilometra nga vija e frontit jugor të vendit, plagosi tre persona në një lagje tjetër. Mes të plagosurve ishte një djalë i vogël.

Vazhdimi i sulmeve erdhi pasi më 29 janar, Donald Trump tha se presidenti rus, Vladimir Putin, i kishte premtuar personalisht atij se do të ndalte sulmet ajrore ndaj kryeqytetit dhe “qyteteve të ndryshme”, për një javë.

Katarina Mathernova, ambasadorja e BE-së në Ukrainë, kritikoi ashpër veprimet e fundit të Kremlinit. Në një postim në Facebook, shkroi:

A është kështu si duhet të duket një “armëpushim”? Si shpërthime? Si civilë të vdekur? Si infrastrukturë energjetike dhe transporti e shkatërruar? Të gjitha këto po ndodhin në një kohë kur bota po flet për një armëpushim të mundshëm.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një raund i ri bisedimesh trepalëshe me Moskën dhe Uashingtonin është caktuar për datat 4–5 shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kishte pasiguri rreth bisedimeve, që fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin dje në kryeqytetin e Emirateve. Zelensky theksoi se ekipi ukrainas ishte gati për negociata të tilla, por se po priste përgjigje nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, shumë varet nga ajo që pala amerikane do të arrijë, në mënyrë që njerëzit t’i besojnë si procesit, ashtu edhe rezultateve.