Pikëpamja e kanadezëve për t’u bërë shteti i 51-të i SHBA-së “nuk do të ndryshojë”, tha kryeministri i Kanadasë, Mark Carney.
Mirëpo Trump tha se këmbëngulja e Carney-t se Kanadaja nuk është në shitje nuk do të ndikojë në diskutimet që palët kanë sot.
Por më tej ai shton se “vetëm koha do ta tregojë” dhe “kurrë mos thuaj kurrë”. “Do ta shohim me kalimin e kohës se çfarë do të ndodhë”, tha Trump.
LEXO EDHE: Telefonata Erdogan-Trump: Presidenti turk fton homologun amerikan për vizitë në Ankara!
Gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, Carney tha se Kanadaja është “klienti më i madh i SHBA-së”.
“Ne kemi një sektor automobilistik të jashtëzakonshëm midis nesh. Nuk ka asnjë gjë që mund ta detyrojë SHBA-në të heqë tarifat. Ky është një diskutim më i madh që do të kërkojë kohë dhe më shumë biseda”, shtoi më tej ai.
Ndërkohë që Trump tha se SHBA-të “gjithmonë” do ta mbrojnë Kanadanë dhe shton se “nuk është çështje parash”.
Pavarësisht tensioneve midis SHBA-së dhe Kanadasë, fillimi i këtij takimi ka qenë thjesht i përzemërt, me Trumpin që i ka dhënë lëvdata homologut të tij kanadez.
Trump filloi duke e përgëzuar vazhdimisht Carney-n për një garë “të shkëlqyer” zgjedhore dhe një performancë “të shkëlqyer” në debat.
“Kemi shumë gjëra të përbashkëta”, tha Trump. “Kemi disa pika të vështira për të shqyrtuar dhe kjo do të jetë në rregull.”
Carney, nga ana e tij, u kujdes të theksonte se të dy do të gjenin fusha të “bashkëpunimit të ndërsjellë”.
Trump e quan fitoren zgjedhore të Carney-t një nga fitoret më të mëdha në historinë e politikës, “ndoshta edhe më të madhe se imja”.
Pastaj ai i tregoi kryeministrit kanadez Zyrën Ovale “të re dhe të përmirësuar”, për të cilën tha se është punuar “me dashuri”.
Carney e duartrokiti Trumpin për sigurimin e kufijve, punën për të ndaluar rrjedhën e fentanilit dhe për t’i dhënë përparësi punonjësve amerikanë.
“Ju jeni një president transformues”, tha Carney.
Historia tregon se Kanadaja dhe SHBA-ja janë “më të forta kur punojnë së bashku”, vijoi Carney.
Ai tha se kanë shumë çështje për të cilat duhet të punojnë së bashku dhe është e rëndësishme të gjenden “ato fusha të bashkëpunimit të ndërsjellë”.
Trump tha se ka “shumë respekt” për Carney-n teksa shtoi se ky i fundit zhvilloi një “fushatë vërtet të shkëlqyer” dhe pati një “debat të shkëlqyer”.