Bota

Kancelari Merz pret Zelenskyn në Berlin: Gjermania do të financojë raketat me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Ukrainë…

Kancelari gjerman Friedrich Merz thotë se vendi i tij do të financojë raketat me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Ukrainë.

Ky veprim do të thotë që Ukraina nuk do të marrë raketën gjermane Taurus.

“Nuk do të hyj në detaje këtu, por më lejoni të them se mbështetja ushtarake do të vazhdojë dhe ne do ta zgjerojmë mbështetjen në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbrojë veten”, thotë ai.

Më tej Merz thotë “Do të doja të theksoja diçka të re. Ne do të financojmë një sasi të konsiderueshme të Starlinks dhe ministritë tona të mbrojtjes do të nënshkruajnë një memorandum për raketat me rreze të gjatë veprimi. Nuk do të ketë kufizime në rreze veprimi, kështu që Ukraina mund të mbrohet përtej kufijve të saj.”

Kjo deklaratë u bë në prezencën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Berlin.

Rusia ka kërcënuar hapur se çdo heqje e kufizimeve për armët me rreze të gjatë veprimi do të thotë luftë me NATO-n. Putini ka paralajmëruar Perëndimin se Moska do ta konsideronte çdo sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët – dhe se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi ashpër njoftimin e Merz të hënën, duke thënë se heqja e kufizimeve ishte “mjaft e rrezikshme”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë, TASS. “Nëse merren vendime të tilla, ato do të shkojnë absolutisht kundër aspiratave tona për të arritur një zgjidhje politike dhe përpjekjeve që po bëhen brenda kornizës së zgjidhjes”, tha ai, sipas TASS.

Ndërkohë bëhet e ditur se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se po shqyrton vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Lajmin e raporton gazeta Wall Street Journal, duke cituar burime të informuara. Presidenti amerikan thuhet se është “i frustruar” nga sulmet e udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, kundër Ukrainës dhe ritmi i ngadaltë i bisedimeve të paqes. Megjithatë, të njëjtat burime shpjegojnë se nëse Trump do të merrte këtë vendim, nuk ka gjasa që kufizimet të përfshijnë sanksione të reja bankare.