Health & Beauty

Kanceri kolorektal, alarm për të rinjtë!

Kanceri kolorektal po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun në rritje. Kanceri kolorektal nuk është më një kërcënim vetëm për të moshuarit, por po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te burrat dhe gratë e reja. Sot ai është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri tek amerikanët nën moshën 50 vjeç.“Po shohim gjithnjë e më shumë persona në të 20-at, 30-at dhe 40-at që po zhvillojnë kancer të zorrës së trashë. Në fillim të karrierës sime, askush në atë moshë nuk kishte kancer kolorektal,” tha Dr. John Marshall nga Qendra Gjithëpërfshirëse e Kancerit Lombardi në Universitetin Georgetown, me mbi tre dekada përvojë si mjek onkolog.

Sipas tij, kjo tendencë po i trondit të gjithë. Sa i përhapur është kanceri kolorektal? Sipas “American Cancer Society” më shumë se 158 mijë raste të kancerit kolorektal pritet të diagnostikohen këtë vit në SHBA. Në të gjitha grupmoshat, ai renditet si shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri, pas kancerit të mushkërive, i cili pritet të marrë mbi 55 mijë jetë këtë vit. Në popullatën e përgjithshme, rastet dhe vdekjet kanë shënuar një rënie të lehtë vitet e fundit. Kjo lidhet pjesërisht me testet e depistimit, të cilat zbulojnë tumoret herët, kur trajtimi është më efektiv ose madje i parandalojnë, nëse zbulohen dhe hiqen formacione parakanceroze.

Ndërkaq një test i ri i biopsisë së lëngshme mundëson diagnostikimin më të hershëm të shumë llojeve të kancerit, sipas një studimi të botuar në revistën Cancer. Aktualisht, skriningu rutinë është i kufizuar vetëm në disa tipe kanceri. Hulumtimi i ri tregon se testimi rutinë me biopsi të lëngshme, pra testi për zbulimin e hershëm të shumë kancereve, mund të zvogëlojë ndjeshëm numrin e diagnozave në fazë të avancuar, duke u dhënë pacientëve mundësinë të fillojnë trajtimin më herët, kur kanceri ka më shumë gjasa të përgjigjet ndaj terapisë.