Parlamentaret e 11 majit, për kryeministrin Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, sot është dita e takimeve individuale me drejtues politikë të qarqeve, në diskutime rreth emrave të kandidatëve për deputetë. Deri tani, Rama ka patur konsultime me Blendi Klosin, Ulsi Manjën, Mirela Kumbaron, Emiriana Sakon, Benet Becin, Bledi Çuçin e Niko Peleshin. Ata janë drejtues politikë në qarqet Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë.
Do të vijojnë më vonë gjatë ditës takimet e Ramës. Orët në vijim, po në mjediset e vilës qeveritare 30 në kryeqytet, Rama do të jetë me secilin nga drejtuesit politikë të PS-së në qarqet Fier, Kukës, Tiranë, Berat dhe Elbasan. Eshtë fjala për Belinda Ballukun, Eduard Shalsin, Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin, Ervin Demon e Arbjan Maznikun.
Çdo drejtues jep propozimet për emrat që konsideron si përfaqësues më të mirë të qarkut respektiv. Më pas, emrat shqyrtohen në Kryesinë e PS-së, që do të mblidhet më 12 mars. Fjalën e fundit e ka Rama, duke vendosur se kush do të jetë në listat e mbyllura e kush në të hapurat.
Ky proces po mbahet hermetik. Gazetari i Top Channel-it, Muhamed Veliu thotë se prej kohësh, brenda PS-së diskutohet reformim i thellë nga Rama i grupit aktual socialist ku me gjasë, më shumë se 60% e deputetëve, nuk do të jenë më. Një ditë më parë, Rama konfirmoi:
Në listat e mbyllura do të kemi djem, vajza dhe gra që janë forca e të resë, forca e gruas dhe forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030-ës. Në gjithë pjesën tjetër të skuadrës do të përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe burrat luftëtarë do të jenë aty për të shkuar dhe fituar në territor vota për PS-në.
Lista finale e kandidatëve të PS-së që do t’i shkojë KQZ-së pritet të jetë produkt i përzierjes së shumë faktorëve dhe proceseve të nisura në partinë politike në pushtet.
Një pjesë e kandidatëve do të jenë nga grupi aktual i PS-së. Po ashtu, me shumë interes pritet të zbulohet se sa prej 300 aplikantëve që kaluan fazën e parë në platformën “Deputeti që Duam” do të sigurojnë hyrjen në listë. Me rëndësi janë edhe emrat nga Diaspora. Në 4 muajt e fundit, PS-ja i ka kushtuar vëmendje maksimale Diasporës.