Politikë

Kandidatura e Simon Mirakë, PS: Nuk merr mbështetjen tonë, nëse nuk hiqet firma e ‘katranit me bojë’

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka folur për debatin në lidhje me propozimin me firmën e Berishës të Simon Mirakës si anëtar i Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit.

Sipas tij, firma e Berishës që e cilëson ‘katran me bojë’ është arsyeja që kandidatura e Simon Mirakës nuk do të merret në konsideratë pasi nuk votojnë asnjë shkresë të firmosur nga ish kryeministri.

Në këtë mënyrë i përgjigjet edhe Gazment Bardhit, i cili reagoi ashpër ndaj mazhorancës në Komisionin e Ligjeve ku u miratua kandidatura duke thënë se janë të pafytyrë pasi janë betuar se nuk pranojnë asgjë që vjen nga ‘non grata’. Balla sqaroi se Miraka nuk do të marrë mbështetjen në Kuvend dhe thekson se po e ndihmojnë sepse nuk duan të bëhet pis.

“Më lejoni të sqaroj një element që u krijua një zhurmë apo stuhi në gotë lidhur me një procedurë të ndjekur nga Komisioni i Ligjeve. Ka pasur akuzë ose deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të PD, Bardhi. Dua të sqaroj se sa i përket kandidaturës së zotit Simon Miraka, ne e kemi votuar zotin Miraka disa vite më parë kur ai është zgjedhur në mandatin e tij të parë dhe kandidon për mandat të dytë. Ne kemi konstatuar se në deputetët që kanë propozuar kandidaturën e tij figuron edhe katrani me bojë dhe si i tillë e ka bërë pis emrin e tij.

Për ne është e pamundur që zoti Miraka të marrë mbështetjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa kohë që në një dokument shfaqet firma e katranit me bojë, kështu që në këtë aspekt… I kërkoj zotit Miraka që nëse vjen në një listë të re pa atë do ta konsiderojmë. Mendoj se është në nderin e zotit Miraka që mos ta bëjë pis emrin e vetë me një propozues është sot njësoj si sigurimi i shtetit. Edhe firmëtari i zotit Miraka këto të dyja ka si Sigurimi i Shtetit. Ne nuk duam të bëhet pis, ndaj po e ndihmojmë”, tha Balla.

Fillimisht Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot kandidaturat për anëtarë të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Me shumicë votash, kandidatët që do ti kalojnë Kuvendit për votim janë: Altin Hoxha, Gentian Sula, Simon Miraka, Albert Nikolla.

Ndërkohë që Ligjet rrëzuan kandidaturat e Marcel Hilës, Besim Ndregjonit, Gjergj Markut, Skënder Vrionit.