Në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, kandidatja socialiste për Bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliu rrëfeu mbi reagimin e familjes kur nga Asambleja e PS-së, mësoi se do të garojë për zgjedhjet në kryeqytet. Rama e pyeti, si e priti familja këtë lajm? “Si ka mundësi që nuk të pyeti?”. Ky ishte ky reagimi i njërës prej vajzave të Manastirliut, e cila kandidimin e konsideron “mision historik”.
Edi Rama: A bën të të pyes, si e priti këtë asamblenë e fundit, familja e vogël?
Ogerta Manastirliu: Altea më tha: “Si ka mundësi që nuk të pyeti?”. Emili më tha: “Po mirë, nuk ke çfarë t’i bësh, tani do e bësh edhe këtë gjë”. Ermali, në fakt ishte i vetmi që, nuk e di pse herët e tjera ka ndodhur, por kësaj radhe nuk më shkroi direkt dhe as nuk më komunikoi shpejt. Pastaj patëm një bisedë të gjatë, por është e gjatë.
Edi Rama: Jo, jo, nuk dua të futem në detaje. Thjesht doja një impresion, më shumë për të privilegjuar ata që po na ndjekin akoma dhe nuk besoj se janë mërzitur, sepse thuhet “bisedë ekskluzive”, “intervistë ekskluzive”, etj. Por unë, p.sh., 85% të gjërave që dëgjova këtu, s’i i dija as vetë.
Ndërkohë, dua ta mbyll… Dakord, në rregull, pse s’të tha? Përgjigjja pse s’të tha: nuk ka njeri perfekt dhe ai ka defektet e veta. Por, përtej kësaj dhe përtej momentit të parë, ti vetë si e ndjen këtë barrë mbi supe?
Ogerta Manastirliu: Mua nuk më është dhënë rasti t’ju shpreh mirënjohjen për besimin. E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe, një sfidë të përbashkët, në atë që secili prej nesh, si qytetar, duhet të bëjë e të japë për vendin e tij. Tirana është qyteti i 1 milion banorëve.
Sigurisht, unë jam thirrur në detyrë dhe kjo është një thirrje në detyrë për një mision historik. Nuk e shoh këtë detyrë thjesht si të radhës, e shoh si një përgjegjësi te e cila varet e ardhmja e qytetit, që nga përditshmëria e njerëzve. Si ta bësh qytetin më të jetueshëm, si ta bësh qytetin më të gëzueshëm, si mund të ndërtojnë familjet kujtime.
Besoj se ajo që më bën ta dua punën time, të gjitha punët, besoj është një prej pikave të mia të dobëta, mund ta konsiderosh, që unë dashurohem me punën që bëj, pavarësisht çfarë detyre mbaj. Pra, futem e tëra dhe përfshihem në punë.
Jua kam thënë dhe juve, për mua nuk ka rëndësi as pozicioni, as karrigia. Nuk ka fare rëndësi se ku jam në skuadër. Për mua ka rëndësi kontributi dhe ka rëndësi që secili, në njësinë e kohës që i është dhënë për të kontribuar, të bëjë më të mirën, të japë më të mirën nga vetja.