Një trend i ri në botën e dizajnit të interierit po tërheq vëmendjen e adhuruesve të funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë: karriget që shërbejnë edhe si vend për rroba.
Dizajnerë dhe marka ndërkombëtare kanë bashkuar forcat për të sjellë dy versione inovative që i japin zgjidhje një problemi të përditshëm – grumbullimin e rrobave në kolltuk.
Të konceptuara për të mbështetur stilin e jetesës së qëndrueshme, këto karrige synojnë jo vetëm estetikën dhe organizimin, por edhe reduktimin e larjes së shpeshtë të rrobave, duke ndikuar pozitivisht në mjedis.
Një prej tyre, “The Wash Less Chair”, është e tapetuar me një pëlhurë të veçantë nga riciklimi, e aftë të eliminojë bakteret, kërpudhat dhe aromat e pakëndshme, duke mbajtur rrobat të freskëta më gjatë.
Ajo ka edhe një mbajtëse në formë briri, që i lejon rrobave të ajrosen dhe të ruhen pa nevojën e larjes së përditshme.
Ndërsa “The Rewear Chair” përshkruhet si shumëfunksionale dhe modulare, me hapësirë për një javë të tërë rroba. Ajo është ndërtuar nga druri i kedrit të rrëzuar natyralisht dhe pjesë të ricikluara frashri, ndërsa është përpunuar me dyllë blete dhe vaj kedri, duke i dhënë një funksion antiseptik natyral.
Edhe pse ende nuk ka informacione nëse këto karrige do të hyjnë në prodhim masiv, ato pasqyrojnë një prirje gjithnjë e më të fortë në dizajnin modern: ndërthurjen e multifunksionalitetit me përgjegjësinë ndaj natyrës.
Në këtë mënyrë, kolltuku i zakonshëm mund të shndërrohet në një aleat të qëndrueshmërisë dhe organizimit në shtëpitë e së ardhmes.