Adriatik Lapaj i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” këmbëngul për të vetmin mandat deputeti të fituar më 11 maj nga kjo parti, në koalicion me Nismën “Thurje”. Pasi KQZ-ja ia kaloi mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli, Lapaj është ankuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve. Në kërkesë parashtron pretendimet se përse mandati i takon listës së hapur, duke kujtuar se kandidatët e listës së mbyllur dhanë dorëheqje.
Çështja që ngre KQZ-ja nuk ka lidhje me situatën në të cilën ndodhemi. Jemi përpara situatës që 12 kandidatët kanë shprehur vullnetin me shkrim në datën 11 maj për tu dorëhequr nga kandidimi, dhe nëse KQZ do të kishte përmbushur detyrimin ligjor për të dalë me një akt administrativ (të miratimit, refuzimit apo të çfarëdo forme dhe përmbajtje), do të ndodheshim përpara faktit që KQZ nuk do t’i hynte fare këtij diskutimi, por do të kishte proceduar me djegien e listës së mbyllur dhe do të kishte proceduar me kalimin e mandatit tek më i votuari i listës së hapur.
Në kushtet kur KQZ nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, e ka vendosur subjektin zgjedhor në një pasiguri juridike në raport me gjithë subjektet e tjera zgjedhore, duke krijuar një precedent te rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe fuqinë institucionale, duke e nëpërkëmbur marrëdhënien mes institucionit dhe individit. Kjo për faktin se heshtja e KQZ ka krijuar kushtet për të vesuar vullnetin e kandidatëve të tërhequr.
Pjesë e këtij procesi ankimimi duhet të jetë edhe interpretimi dhe unifikimi i praktikave të ndryshme që ka ndjekur KQZ duke zbatuar rastin e precendetit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 ku kandidati Tom Doshi u tërhoq nga kandidimi ditën e zgjedhjeve dhe KQZ u shpreh me vendim, një ditë pas këtij akti. A i ndryshoi KQZ në këtë rast listat shumëemërore?! A përbënte ky fakt për KQZ arsye për ta quajtur këtë veprim si ndryshim i listave shumëemërore në kundërshtim me Nenin 73/4 të Kodit Zgjedhor?!, thuhet në kërkesën e Lapajt.
Tashmë, Lapaj kërkon që të rrëzohet vendimarrja e kryekomisionerit Celibashi dhe t’i kalojë atij mandati.