Sport

Kategoria Superiore, përcaktohet formacioni më i mirë i Javës së 8-të!

Java e tetë e Kategorisë Superiore, përfundoi me ndeshjet Partizani-Egnatia dhe Teuta-Flamurtari. Ashtu siç ndodh çdo javë, trajnerët e skuadrave kombëtare kanë përzgjedhur lojtarët dhe trajnerin më të spikatur të kësaj jave duke përpiluar kështu edhe formacionin më të mirë.

Këtë radhë, trajnerët kanë përpiluar një formacion me skemë 4-2-3-1. Në portë u përzgjodh Pano Qirko i Partizanit, ndërsa për repartin e mbrojtjes, Bekim Maliqi i Dinamo City-t, Marçelino Preka i Partizanit, Gomes Ferreira i Teutës dhe Andrey Yago i Vllaznisë.

Mesfushorë të vendosur përpara mbrojtjes janë Albano Aleksi i Egnatias dhe Ibrahimi Abbas i skuadrës së Elbasanit. Më të avancuar, Dejvi Bregu i Dinamos, Ergis Arifi i Teutës dhe Diallo i Elbasanit, të cilët janë në mbështetje të qendërsulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj.

Përsa i përket trajnerit më të mirë, i përzgjedhuri është Edi Martini i Vllaznisë pasi skuadra shkodrane arriti të fitojë në klasiken e futbollit shqiptar ndaj Tiranës 3-1, për të regjistruar fitoren e katërt radhazi në kampionat.