Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që mbështet planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Po ashtu, dokumenti autorizon një forcë ndërkombëtare për stabilizim në enklavën palestineze.
Izraeli dhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA-të e fuqitë e tjera, ranë dakord muajin e kaluar për fazën e parë të planit 20-pikësh të Trump-it për Gazën, një armëpushim në luftën e tyre dyvjeçare dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Por, rezoluta e OKB-së shihet si thelbësore për të legjitimuar një organ të përkohshëm qeverisës dhe për t’iu ofruar garanci vendeve që po shqyrtojnë dërgimin e trupave në Gazë.
Teksti i rezolutës thotë se shtetet anëtare mund të marrin pjesë në Bordin e Paqes të kryesuar nga Trump, i konceptuar si një autoritet tranzitor që do ta mbikëqyrte rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës.
Gjithashtu autorizon forcën ndërkombëtare të stabilizimit, e cila do të siguronte procesin e çmilitarizimit të Gazës, përfshirë shkatërrimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake.
Në një komunikatë, Hamasi e përsëriti se nuk do të çarmatoset dhe argumentoi se lufta e tij kundër Izraelit është qëndresë legjitime.
Rezoluta vendos një mekanizëm të kujdestarisë ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet tona e kundërshtojnë, deklaroi Hamasi në komunikatën e lëshuar pas miratimit të rezolutës.
Mike Waltz, ambasadori amerikan në OKB, tha:
Rezoluta hap një rrugë të mundshme drejt vetëvendosjes për palestinezët … ku në vend të raketave do të ketë degë të ullirit dhe ku ekziston mundësia për t’u pajtuar për një horizont politik.
Rusia, që ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, e kishte lënë të hapur mundësinë e kundërshtimit, por u përmbajt nga votimi, duke lejuar që dokumenti të miratohet.
Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në OKB, që gjithashtu u përmbajtën, u ankuan se rezoluta nuk i jep OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës.
Në thelb, këshilli po i jep bekimin e tij një nisme amerikane bazuar në premtimet e Uashingtonit, duke i dhënë kontroll të plotë mbi Rripin e Gazës Bordit të Paqes dhe ISF-së (forcës ndërkombëtare të stabilizimit), modalitetet e të cilave nuk i dimë ende, vuri në dukje ambasadori rus Vasily Nebenzya pas votimit.