Bota

Kimioterapi prej vitesh për tumorin që nuk ekzistonte/Fiton dëmshpërblim!

Vite të tëra kimioterapie, por nuk u gjet asnjë tumor: Në Itali, Gjykata e Apelit e Firences ka urdhëruar Spitalin Universitar të Pizës (AOUP) t’i paguajë një 47-vjeçareje, mbi 460 mijë euro.

Gruaja u diagnostikua me kancer të zorrëve në Volterra në vitin 2006, duke e bërë t’i nënshtrohej një terapie të gjerë, por në fund të fundit të panevojshme, kundër kancerit.

Nga janari 2007 deri në maj 2011, pacientja iu nënshtrua trajtimeve të përsëritura me kimioterapi, kortizon dhe steroide, derisa një biopsi e re e kryer në Xhenova përjashtoi praninë e kancerit.

Diagnoza e gabuar

Shuma u rrit në Apel, krahasuar me vendimin e mëparshëm të gjykatës së Pizës prej 295 mijë eurosh.

Historia filloi kur gruaja shkoi në spital për një ndërhyrje kirurgjikale ortopedike. Para shtrimit në spital, analizat zbuluan një anomali në numrin e qelizave të bardha të gjakut dhe operacioni u shty.

Pas një biopsie të palcës së kockave dhe zorrëve, mjekët diagnostikuan limfomën jo-Hodgkin.

Pas një përpjekjeje të pasuksesshme pajtimi, pacientja paditi mjekët në gjykatën civile në Pizë.

Autoriteti shëndetësor mbrojti veten duke argumentuar se pamja klinike ishte komplekse dhe e vështirë për t’u diagnostikuar, teksa pohoi se trajtimi i administruar ishte i përshtatshëm.

Megjithatë, mendimi i ekspertit të caktuar nga gjykata përcaktoi se nuk kishte nevojë të trajtohej pacienti në atë mënyrë sepse mundësia e limfomës nuk mbështetej nga rezultatet e testeve dhe ekzaminimeve, as nga simptomat për të cilat ishte ankuar pacientja.

Në fund, vendimi i Gjykatës së Apelit përcaktoi një paaftësi të përhershme prej 60%, jo 40%, siç vendosi shkalla e parë, si dhe njohu “dëmet e personalizuara”, për shkak të pasojave që përjetoi 47 vjeçarja.

Gruaja, e cila punonte si agjente sigurimesh, u detyrua të zvogëlonte angazhimet profesionale dhe madje iu hoq patenta pasi u konsiderua “e papërshtatshme” për të drejtuar një automjet.