Kina akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sulme kibernetike që sipas Pekinit zyrtar, mund të kishin shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën kritike financiare dhe të telekomunikacionit. Vitet e fundit, vendi aziatik ka shtuar paralajmërimet për spiunazh ndërsa marrëdhëniet me Amerikën e të tjera vende perëndimore, janë përkeqësuar.
Autoritetet kineze pretenduan se kanë gjetur “prova të pakontestueshme” për përpjekjet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve (NSA) për të hakeruar Qendrën Kombëtare të Shërbimit të Kohës, mes viteve 2022 e 2024, sipas një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare në WeChat të Ministrisë së Sigurisë së Shtetit.
Kjo qendër është përgjegjëse për koordinimin e orëve në mbarë vendin, që përdoren në gjithçka, duke nisur nga serverët kompjuterikë, te stacionet hekurudhore dhe rrjetet energjetike.
Ministria kineze akuzoi NSA-në për shfrytëzimin e dobësive në shërbimin e mesazheve të një marke të paidentifikuar të telefonave celularë të huaj, me qëllim që të vidhte fjalëkalimet e punonjësve të qendrës së kohës.
Sipas ministrisë, sulmet mund të kishin kishin rrezikuar rrjetet e energjisë, transportin e madje edhe nisjet hapësinore.
Autoritetet kineze kanë deklaruar se që atëherë kanë “ndërprerë zinxhirët e sulmit, kanë përmirësuar masat mbrojtëse dhe kanë eliminuar kërcënimet e mundshme”.
Vitet e fundit, në mënyrë agresive, SHBA-të kanë ndjekur një hegjemoni kibernetike, duke shkelur vazhdimisht rregullat ndërkombëtare të hapësirës kibernetike.
Kina iu bëri thirrje qytetarëve kinezë të jenë vigjilentë ndaj sulmeve të huaja e të raportojnë aktivitetet e dyshimta te autoritetet.
Në anën tjetër, vendet perëndimore kanë akuzuar grupe hakerash, për të cilët thuhet se mbështeten nga Kina, për kryerjen e një fushate globale të spiunazhit kibernetik kundrejt figurave që janë kritike me Pekinin, institucioneve demokratike e kompanive në sektorë të ndryshëm të ndjeshëm.
Vitin e kaluar, Uashingtoni deklaroi:
Një aktor i sponsorizuar nga shteti kinez qëndronte pas një sulmi kibernetik në Departamentin amerikan të Thesarit.
Në atë kohë, Pekini i cilësoi akuzat “të pabaza”.