Kina filloi stërvitje të përbashkëta të ushtrisë, marinës dhe forcave raketore rreth Tajvanit si “paralajmërim i ashpër kundër separatizmit” dhe e quajti presidentin tajvanez, Lai Ching-te, një “parazit”. Ndërkohë, Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për t’iu përgjigjur marinës kineze që iu afrua brigjeve.
Stërvitjet përreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e konsideron territorin e vet, vijnë pasi muajin e kaluar Lai e quajti Pekinin “fuqi e huaj armiqësore”. Kina e konsideron Lain “separatist” dhe në një video që shoqëronte njoftimin për stërvitjet, u paraqit si një insekt i mbajtur nga shkopinj për të ngrënë, mbi një Tajvan në flakë, duke e quajtur në anglisht “një parazit”.
Fokusi është në manovra si patrullat e gatishmërisë luftarake në det e në ajër, marrja e kontrollit të gjithanshëm, goditja e objektivave detare e tokësore, si dhe vendosja e kontrolleve bllokuese në zona dhe rrugë kyçe, njoftoi Komanda e Teatrit Lindor në një deklaratë.
Qeveria e Tajvanit i dënoi stërvitjet, me zyrën presidenciale që tha se Kina “njihet gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si burim problemesh” e se qeveria ka besimin dhe aftësinë për t’u mbrojtur. Qeveria tajvaneze i hodhi poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet, duke deklaruar se vetëm “populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij”.
Dy zyrtarë të lartë të Tajvanit i thanë Reuters-it se më shumë se dhjetë anije ushtarake kineze iu afruan Tajvanit që dërgoi anijet e veta luftarake për të reaguar.
Tajvani dislokon anijet ushtarake
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se grupi i aeroplanmbajtëses kineze Shandong hyri në zonën e reagimit të ishullit, duke shtuar se dërgoi avionë e anije ushtarake, si dhe aktivizoi sistemet raketore tokësore për t’iu përgjigjur.
Stërvitjet u zhvilluan kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u largua nga rajoni pas vizitave në Japoni dhe Filipine, ku kritikoi Kinën e vuri në dukje se Japonia ishte “e pazëvendësueshme” në përballimin e agresionit kinez.
Duke cituar vlerësime të brendshme, një zyrtar i lartë i sigurisë në Tajvan i tha Reuters-it se Pekini kishte nevojë të shmangte çdo “përplasje të perceptuar” me Uashingtonin përpara bisedimeve tregtare SHBA-Kinë dhe për këtë arsye Tajvani ishte bërë një pretekst.