Bota

Kina po vlerëson ofertën amerikane për bisedime mbi tarifat!

Pekini po vlerëson një ofertë nga Uashingtoni për të zhvilluar bisedime lidhur me tarifat prej 145% të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump. Njoftimi u bë sot nga Ministria kineze e Tregtisë. Ky dikaster paralajmëroi SHBA-të që të mos përfshihen në “shantazh e kërcënime”. Uashingtoni dhe Pekini janë në luftë të tensionuar tregtare e palët nuk duan të duken se po tërhiqen ose se janë të parët që pranojnë të ulen për të negociuar mbi tarifat që kanë trazuar tregjet globale duke prekur zinxhirët e furnizimit.

Ministria e Tregtisë e Pekinit tha se Amerika i ka kërkuar Kinës bisedime mbi tarifat e Trump-it, duke shtuar se dera e Kinës është e hapur për diskutime, çka sinjalizon mundësinë e uljes së tensioneve sa i përket luftës tregtare. Deklarata vjen një ditë pasi në një llogari në mediat sociale, e lidhur me mediat kineze, u tha se Uashingtoni ka kërkuar që të nisin bisedimet dhe vetëm një javë pasi Trump deklaroi se bisedimet po zhvilloheshin, gjë që Pekini e mohoi.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë iniciativën në shumë raste për të dërguar informacion te Kina, përmes palëve të rëndësishme, duke thënë se shpresojnë të bisedojnë me Kinën, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Pekini po e “vlerëson” këtë.

Përpjekja për përdorimin e bisedimeve si pretekst për t’u angazhuar në shantazh dhe kërcënime nuk do të funksionojë, shtoi Ministria kineze e Tregtisë. Amerika duhet të jetë e përgatitur që të ndërmarrë veprime për të “korrigjuar praktikat e gabuara” e të anulojë tarifat e njëanshme, theksoi Ministria e Tregtisë e Kinës, duke shtuar se Uashingtoni duhet të tregojë “sinqeritet” në negociata.

Kina mohon se po kërkon të negociojë një zgjidhje për tarifat e vendosura nga Amerika dhe me gjasë këmbëngul që Uashingtoni të bëjë hapin e parë. Vendimi i Trump-it për të vendosur taksa të larta doganore mbi importet nga Kina vjen në një moment veçanërisht të vështirë për këtë të fundit, pasi po përballet me deflacion si pasojë e rritjes së dobët ekonomike dhe një krize të zgjatur në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Zyrtarët amerikanë, përfshirë sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, si dhe këshilltari për Ekonominë i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hasset, po ashtu kanë thënë se shpresojnë të ketë përparim në uljen e tensioneve tregtare.

Kam besim që kinezët duan që të arrihet një marrëveshje. Dhe, siç kam thënë, ky do të jetë një proces me shumë hapa. Së pari, na duhet të ulim tensionet e më pas të nisim të përqendrohemi në një marrëveshje më të madhe tregtare, deklaroi Bessent në një intervistë për Fox Business Network.