Aksident i rëndë rrugor në Dars të Klosit, ku një automjet doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit. Policia arrestoi drejtuesin teksa vijojnë kërkimet për pasagjerin, i dyshuar se është marrë nga rrjedha e ujit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet:
Rreth orës 01:30 është marrë informacion se në vendin e quajtur “ura e fshatit Dars”, një automjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, zjarrfikësit si dhe polumbarët e RENEA-s.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit A.L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Nga hetimet paraprake dyshohet se në automjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi J.K., 30 vjeç, banues po në fshatin Fullqet, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit pas aksidentit.
Shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin A.L., pasi dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja dhe nuk ka njoftuar autoritetet, si dhe nuk i ka dhënë ndihmë pasagjerit.
Gjithashtu, ai iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet intensive në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit të zhdukur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprime të mëtejshme ligjore.