Sport

Klubi anglez kërkon sulmuesin e Interit, asist për të sjellë Lukmanin në Milano!

Një kthesë e rëndësishme po afrohet në të ardhmen e Mehdi Taremit. Sulmuesi iranian, që iu bashkua Interit verën e kaluar si transferim i lirë nga Porto, është informuar prej kohësh se nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Kristian Kivu.

Sipas mediave italiane, 31-vjeçari ka pranuar vendimin dhe është i gatshëm të ndërrojë ambient, pa vënë pengesa për klubin. Nëse nuk gjendet një zgjidhje për të ardhmen e tij brenda javës së ardhshme, Taremi do të jetë gjithsesi i detyruar të paraqitet në grumbullimin veror të Interit. Megjithatë, duket se situata ka filluar të lëvizë në prapaskenë. Sulmuesi ka vënë vetëm një kusht, të transferohet në një klub europian ose në një kampionat të nivelit të mesëm ose të lartë.

Deri tani, dy klube kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij, Fulham në Premier Ligë dhe Beshiktashi në Superligën turke. Të dyja përmbushin kërkesën e Taremit për nivelin e garës dhe kanë mundësi financiare për të përballuar pagën e tij.

Interi është i interesuar ta përshpejtojë këtë largim, edhe për shkak të nevojës për të mbyllur sa më parë marrëveshjen me Atalantën për Ademola Lukman. Klubi zikaltër nuk do të këmbëngulë fort mbi kërkesën prej 10 milionë euro për kartonin e Taremit, një shumë që gjithsesi do të përfaqësonte një plusvalencë të pastër, duke qenë se lojtari u transferua falas një vit më parë.