Interi vazhdon të mbajë gjallë një traditë unike në historinë e Kupës së Botës. Për edicionin e 12-të radhazi, një futbollist i klubit zikaltër do të jetë i pranishëm në finalen e turneut më të madh të futbollit.
Kjo seri ishte një rekord i ndarë deri pak orë më parë me Bayern Munich, por tashmë Interi është i vetëm në këtë statistikë të jashtëzakonshme. Sigurimi i finales nga Lautaro Martinez pas golit vendimtar ndaj Anglisë bëri që klubi italian të vazhdojë këtë ecuri historike.
Kapiteni i Interit shënoi golin që i dha Argjentinës fitoren 2-1 në gjysmëfinale dhe një vend në finalen kundër Spanjës. Në fund të ndeshjes, sulmuesi nuk i fshehu emocionet, duke deklaruar se e kishte ëndërruar gjithë jetën këtë moment.
Lautaro pritet të jetë titullar në finalen e madhe, ndërsa Interi do të ketë sërish një përfaqësues në sfidën për trofeun. Kjo traditë nisi në vitin 1982, kur Italia triumfoi ndaj Gjermanisë Perëndimore dhe në formacionin e “Azzurrëve” ishin pesë lojtarë të Interit: Giuseppe Bergomi, Gabriele Oriali, Alessandro Altobelli, Ivano Bordon dhe Gianpiero Marini.
Në Botërorin e vitit 1986, flamurin e Interit e mbajti Karl-Heinz Rummenigge me Gjermaninë Perëndimore, ndërsa në vitin 1990 ishin Lothar Matthaus, Andreas Brehme dhe Jurgen Klinsmann. Në finalen e vitit 1994, Nicola Berti përfaqësoi zikaltërit me Italinë e Arrigo Sacchit.
Më pas, lojtarë si Youri Djorkaeff dhe Ronaldo Nazario ishin pjesë e finaleve të viteve 1998 dhe 2002. Një nga momentet më të paharrueshme për Interin erdhi në vitin 2006, kur Marco Materazzi ishte protagonist në finalen mes Italisë dhe Francës, duke fituar trofeun me “Azzurrët”.
Në vitin 2010, Wesley Sneijder ishte në finalen e humbur nga Holanda ndaj Spanjës, ndërsa në vitin 2014 Argjentina kishte në radhët e saj tre lojtarë të Interit: Rodrigo Palacio, Ricky Alvarez dhe Hugo Campagnaro.
Në finalen e vitit 2018, Ivan Perisic dhe Marcelo Brozovic përfaqësuan Interin me Kroacinë, që u mposht 4-2 nga Franca.
Pas kësaj, Lautaro Martinez e vazhdoi serinë në vitin 2022, kur ishte pjesë e Argjentinës kampione në Katar, dhe tashmë në vitin 2026 ai ka siguruar një tjetër paraqitje të Interit në finalen e Kupës së Botës. Tradita zikaltër nuk njeh ndërprerje.