Gossip Showbiz

Klubi “Galatasaray” feston titullin e 25-të kampion, dëshironin që Dua Lipa të këndonte në festë, por sa para ka kërkuar ajo?

Pas sigurimit të titullit të 25-të në Superligën turke, klubi i njohur Galatasaray kishte planifikuar një festë madhështore për të kremtuar këtë arritje historike.

Sipas mediave turke, drejtuesit e klubit kishin në plan të ftonin superyllin e muzikës pop, Dua Lipa, për të performuar gjatë ceremonisë së festimeve.

Megjithatë, tentativa për bashkëpunim nuk rezultoi e suksesshme.

Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, këngëtarja me famë botërore dhe me origjinë shqiptare thuhet se kërkoi një tarifë prej 3.5 milionë dollarësh për një performancë live, një shifër që u konsiderua jashtë mundësive të klubit dhe u refuzua nga drejtuesit e Galatasaray.

Pavarësisht kësaj, ceremonia e festimeve do të mbahet dhe pritet të jetë një spektakël i madh për tifozët e shumtë të skuadrës nga Stambolli.

Titulli i 25-të kampion i jep Galatasaray të drejtën të shtojë një yll të pestë mbi stemën e klubit – një traditë në futbollin turk, ku çdo yll përfaqëson pesë kampionate të fituara.

I themeluar në vitin 1905 nga Ali Sami Yen, djali i shkrimtarit të njohur shqiptar Sami Frashëri, Galatasaray mbetet klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit turk, duke forcuar pozitat e tij si simbol i sportit në vend dhe rajon.