Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i drejtuar nga republikani James Comer, ka lëshuar thirrje në gjyq për disa ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë Bill dhe Hillary Clinton, si dhe ish-drejtorin e FBI-së, James Comey. Komiteti u ka kërkuar gjithashtu Departamentit të Drejtësisë të dorëzojë të gjitha dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein deri më 19 gusht.
Sipas njoftimit, ndër të thirrurit për të dëshmuar janë edhe ish-Prokurorët e Përgjithshëm Loretta Lynch, Eric Holder, Merrick Garland, William Barr, Jeff Sessions dhe Alberto Gonzalez, si dhe ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller.
Ky veprim pason reagimet e forta ndaj qëndrimit të Departamentit të Drejtësisë, i cili deklaroi se nuk ekziston një “listë klientësh” dhe se vdekja e Epstein ishte vetëvrasje – një konkluzion që ka ngjallur dyshime të gjera në opinionin publik, veçanërisht mes mbështetësve të Donald Trump.
Sipas Axios, lëshimi i këtyre thirrjeve për gjyq u miratua në mënyrë dypartiake, pasi disa republikanë si Nancy Mays, Scott Perry dhe Brian Jack iu bashkuan demokratëve në votim, duke rritur presionin për transparencë.
Ndërkohë, përfaqësuesit Thomas Massie dhe Ro Khanna po udhëheqin një nismë për deklasifikimin e plotë të dosjeve mbi çështjen Epstein.
Votimi për këtë iniciativë pritet të mbahet në shtator, me synimin për të mbledhur 218 nënshkrime dhe për ta sjellë çështjen në debat publik në Dhomën e Përfaqësuesve.