Aktualitet Health & Beauty

Kompani fiktive e Ozempic, mashtrim 200 milion euro në sistemin shëndetësor gjerman!

Ozempic, fillimisht një ilaç për diabetin, po bën bujë të madhe, pasi trendi filloi në Hollywood. Një shiringë për humbje peshe kushton nga 80 deri në 217 euro, në varësi të dozës. Por edhe rrjetet kriminale në Gjermani përpiqen të përfitojnë, duke falsifikuar recetat në letër që më pas t’i rishesin shiringat. Kompanitë e sigurimeve shëndetësore i paguajnë këto ilaçe. Vetëm një nga shumë shembuj që tregon se si mashtrohen kompanitë ligjore të sigurimeve shëndetësore në këtë vend.

Mashtrime të mëdha në fushën e kujdesit shëndetësor

Në total, sigurimet shëndetësore zbuluan mashtrime me vlerë 200 milion euro në vitet 2022 dhe 2023, që shihet si shuma më e lartë që nga mbajtja e statistikave në vitin 2008, sipas raportit aktual të Shoqatës Kombëtare të Sigurimeve Shëndetësore.

Grupet kriminale po ia dalin gjithnjë e më shpesh të rimbursojnë receta të rreme për medikamente të shtrenjta. Përveç Ozempic-ut, në farmaci dorëzohen receta e faturohen edhe ilaçet kundër dhimbjeve si Tilidine dhe Fentanyl me shpenzime të kompanive të sigurimit shëndetësor. Por, nëse mashtrimi zbulohet, sigurimet shëndetësore kërkojnë dëmshpërblim edhe nga farmacitë që nuk i kanë zbuluar recetat e falsifikuara.

Raporti bazohet në informacione nga 94 sigurime anëtare të Shoqatës Kombëtare dhe persona që kanë denoncuar rastet e që punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor. Në total, janë raportuar rreth 50.000 denoncime gjatë periudhës raportuese. Kjo është një rritje prej më shumë se 20% krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese 2021/2020.

Por, pothuajse gjysma e të gjitha raportimeve lidheshin me shkelje në fushën e përkujdesit shëndetësor. Ofruesit e shërbimeve thuhet se kanë mashtruar me kohën e përkushtuar për trajtim dhe se kanë vendosur më shumë shërbime sesa janë ofruar në të vërtetë. Citohen gjithashtu certifikatat e rreme profesionale dhe nënshkrimet e pacientëve si shembuj tipikë të mashtrimit në këtë industri.

Kompanitë fiktive

Një tjetër model mashtrimi profesional po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: fjala është për krijimin e të ashtuquajturave kompani fiktive. Sipas transmentuesit publik gjerman, Rbb, shpesh emërohen si drejtorë menaxhues të këtyre kompanive persona të painformuar me sëmundje e varësi të caktuara nga Europa Lindore.

Por, kompanitë ekzistojnë vetëm në letër ose si kuti postare. Nëpërmjet këtyre kompanive false, njerëzit regjistrohen në kompanitë e sigurimeve shëndetësore dhe aty ku mund të marrin ndihmat shoqërore në Gjermani. Shpesh këta janë njerëz që nuk janë të punësuar nga kompanitë. Llogaritë e pagave të tyre, pagesat e pagave dhe kontratat e punës manipulohen ose falsifikohen.