Aktualitet

Konfiskim makinave të braktisura në Tiranë/ Afat 30 ditë për t’i larguar!

Një marrëveshje mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara dhe Policisë Bashkiake Tiranë i hap rrugë konfiskimit të makinave të braktisura në parkingjet apo ambientet publike nëpër lagjet në kryeqytet. Kjo nëse pronarët nuk i largojnë brenda 30 ditëve nga njoftimi. Për Top Channel, shefja e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, shpjegoi se njoftimi i dokumentuar për largimin e automjetit të braktisur sapo ka nisur.

Duhet të bëhet një praktikë e plotë. Duke qenë se hapi i parë ishte njoftimi i drejtuesve do t’u lihen 30 ditë, pra afati për lëvizjen e këtij mjeti është 1 mujor. Pas këtij afati, njëkohësisht ne si Polici Bashkiake jemi në korrespondencë. Pasi të jenë ezauruar të gjithë këto hapa nga Policia Bashkiake e të konstatohet se poseduesi nuk e ka lëvizur mjetin, atëherë do të ndërhyhet duke ngritur mjetin për të cilin kemi nënshkruar marrëveshje.

Nga momenti i bllokimit të automjetit të identifikuar si të braktisur, qytetari humbet të drejtën e pronësisë dhe makina konsiderohet e konfiskuar.

Jo, nuk është ai më pronar i ligjshëm i mjetit. Janë shteruar të gjitha praktikat. Do të mbajmë procesverbale. Qytetari kishte kohën e mjaftueshme për të marrë masa, për ta depozituar për skrap. Qytetari nuk është më pronar i mjetit, kjo i kalon agjencisë.

Nga cfarë ka vërejtur Lalaj në krye të Policisë Bashkiake prej pak muajsh, kanë qenë banorët e Tiranës që vazhdojnë të postojnë foto të mjeteve të parkuara prej vitesh e deri diku të harruara.

Dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë bërë njoftime në Portalin e Tiranës dhe i nxis të dërgojnë në këto platforma. Së dyti, gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të bëjnë lirim vullnetar të hapësirave publike ku kanë parkuar automjetet, që u kanë hequr targat mjetit dhe i kanë kthyer në magazina. Gjej rastin t’u bëj këtë thirrje qytetarëve të Tiranës. Në të kundërt, Policia Bashkiake do të operojë me të gjithë bazën ligjore që ka në fuqi.