Aktualitet

Korçë, kapet siriani që shoqëronte emigrantë për kalim të paligjshëm kufiri!

Operacioni “Lugina 2” në Korçë, pranga një shtetasi. Gjatë natës, 18 vjeçari u kap në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar 6 emigrantë nga Egjipti e Siria, mes tyre katër të mitur. Sipas hetimeve, i riu organizonte kalime të paligjshme nga Greqia drejt Shqipërisë dhe më pas në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Në kuadër të këtij operacioni është kapur dhe është vënë në pranga një shtetas sirian, i cili organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit.

Ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.

Shtetasi sirian u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar gjashtë shtetas egjiptianë dhe sirianë (katër prej të cilëve ishin të mitur).

Nga hetimet e thelluara të kryera prej disa muajsh rezulton se ky shtetas e ka kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian: M. H., 18 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.