Aktualitet

Ndihmonte shtetas për të kaluar kufirin, arrestohet 41 vjeçari në Korçë!

Operacioni i policisë së Korçës, i koduar “Green Border”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, veçanërisht ato që lidhen me kalimet e paligjshme të kufirit, kapet dhe arrestohet një 41 vjeçar, i akuzuar për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit. Akuzohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër i arrestuar në Greqi për të njëjtën vepër penale, ndihmoi për kalimin e paligjshëm kundrejt fitimit 600 deri në 800 euro të tre personave, përmes Kapshticës.

Njoftimi zyrtar:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Green Border”. Ndihmonte kundrejt fitimit 600 deri në 800 euro shtetas të ndryshëm për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçe, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të Kufirit Jeshil Kapshticë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Green Border”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në Tresenik, dhe u vu në pranga shtetasi B.M., 41 vjeç, banues në fshatin Tresenik, Devoll, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin K. I që jeton në shtetin grek, dhe është arrestuar në Greqi, për të njëjtën vepër penale, kanë ndihmuar për të kaluar në mënyrë të jashtëligjshme tre shtetas, (ndërmjet tyre dhe një foshnjë 9 muajsh me mamanë e saj), nëpërmjet kufirit të gjelbër Kapshticë, për në shtetin Grek.

Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas këtë veprimtari kriminale e ka kryer dhe më parë në bashkëpunim me shtetasin e arrestuar në Greqi nga Policia greke , pas shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të DVKM Korçë dhe Policisë Kufitare greke.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.