Udhëheqësi komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua të zbatojë politikën “më të ashpër” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto deklarata vijnë më pak se një muaj para se Donald Trump të marrë postin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Rikthimi i Trump-it rrit mundësitë për diplomaci të profilit të lartë me Korenë e Veriut. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump u takua tri herë me Kim-in për bisedime lidhur me programin bërthamor të Veriut.
Por, shumë ekspertë kanë thënë se një rinisje e shpejtë e takimeve mes Trump-it dhe Kim-it ka pak gjasa të ndodhë, pasi fillimisht Trump do të fokusohet te konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Mbështetja e Pheniani për luftën ruse në Ukrainë, po ashtu përbën një sfidë në përpjekjet për të ringjallur diplomacinë, sipas ekspertëve.
Gjatë një takimi 5-ditor të partisë në pushtet, Partia e Punëtorëve, Kim e quajti Amerikën “shtetin më reaksionar që antikomunizmin e konsideron si politikën të tij të pandryshueshme shtetërore”. Kim vuri në dukje se partneriteti i sigurisë mes SHBA-ve, Koresë së Jugut dhe Japonisë po zgjerohet në një “bllok ushtarak bërthamor për agresion”.
Ky realitet tregon qartazi se në cilin drejtim duhet të shkojmë, çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të veprojmë.
Media shtetërore deklaroi se gjatë fjalimit, Kim “qartësoi strategjinë më të ashpër antiamerikane. Kundërveprimi do të nisë në mënyrë agresive” nga Koreja e Veriut për interesat dhe sigurinë e saj afatgjatë kombëtare.
Raportimi nuk dha detaje mbi këtë strategji antiamerikane. Por, u tha se Kim ka vendosur që të forcohen aftësitë ushtarake të shtetit përmes përparimeve në teknologjinë e mbrojtjes dhe ka kërkuar që të përmirësohet qëndrueshmëria mendore e ushtarëve koreano-veriorë.
Takimet e mëparshme mes Trump-it e Kim-it, jo vetëm që i dhanë fund retorikës së ashpër dhe kërcënimeve për shkatërrim, por gjithashtu dy udhëheqësit krijuan lidhje personale. Megjithatë, bisedimet dështuan më 2019-ën dhe SHBA-të i vendosën sanksione Veriut.
Që atëherë, Koreja e Veriut ka përshpejtuar ritmin e testimit të armëve dhe ka intensifikuar prodhimin e raketave bërthamore për të shënjestruar SHBA-të e aleatët e tyre. Amerika dhe Koreja e Jugut janë përgjigjur duke zgjeruar stërvitjet e përbashkëta ushtarake e në to është përfshirë edhe Japonia. Veriu i konsideron si “përgatitje për pushtim”.