Rajoni

Kosova ka 1.586.659 banorë të regjistruar, shifrat nga ASK-ja!

Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024. Në një konferencë për media në Prishtinë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se institucioni që drejton ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht u bojkotua procesi.

ASK-ja vlerëson se Kosova ka një popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515 personash. Në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas ASK-së, në diasporë janë regjistruar rreth 500 mijë vetë.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, i realizuar në vitin 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Edhe në atë kohë, procesi ishte bojkotuar në një masë të madhe nga serbët. Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare, si dhe i banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga data 5 prill e deri më 24 maj.

Sipas raportit përfundimtar, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 34.84 vjeçe, krahasuar me 29.97 vjeçe në vitin 2011.

Të dhënat tregojnë se 92.8% e banorëve në Kosovë kanë në pronësi banesat e tyre, ndërsa rreth 5.3% jetojnë me qira.

Raporti ka gjetur një ulje prej 26.6% në madhësinë e ekonomisë familjare në vitin 2024, krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011.

Tani në Kosovë, numri mesatar i personave në ekonomi familjare është 4.33% krahasuar me 5.9% në vitin 2011.