Rajoni

Kosova në alarm, sot 16 viktima nga COVID-19…spitalet drejt kolapsit!

Numër i lartë viktimash në Kosovë nga Koronavirusi. 16 pacientë e humbën betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit. Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i epidemisë ka arritur në 1 mijë e 776.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Prishtinë konfirmoi 827 raste ditore me COVID-19 nga mbi 5 mijë testime të kryera. Raportohet se sëmundjen infektive e kanë mundur 518 pacientë. Aktualisht në Kosovë janë 12 mijë e 635 raste aktive.

Që nga mesi i muajit mars të vitit 2020 që përkon me fillimin e epidemisë, në Kosovë janë regjistruar 83 mijë e 12 raste me koronavirusin e ri, prej të cilëve 68 mijë e 601 janë shëruar. Ndërkaq mjekët janë në alarm për rritjen e numrit të të shtruarëve nëpër spitalet e Kosovës.

Nëse vijohet në këtë mënyrë, së shpejti nuk do të ketë më vende të lira për të sëmurët me COVID-19 që kanë nevojë për hospitalizim.