Rajoni

Në Kosovë përkeqësohet situata nga COVID-19

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, deklaroi sot se situata me pandeminë po rëndohet nga dita në ditë.

Sot kemi 780 pacientë në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat COVID, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Nga këta, 36 pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv, ndërkohë që mbi 500 pacientë janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme.

Krasniqi tha se në Komitetin për menaxhimin e pandemisë, në nivel të SHSKUK-së, është vendosur se do t’i dërgohet një shkresë Qeverisë në detyrë të Kosovës, që të shqyrtojë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve tjera alternative.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, u shpreh sot, se rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, është e lehte dhe e menaxhueshme.

Situata epidemiologjike kohëve të fundit ka pasur një rritje, ne e quajmë të lehtë, por e quajmë të kontrollueshme dhe të menaxhueshme, duke thirrur gjithmonë që të ketë shtim të kujdesit, sepse çdo rritje eventuale ka ngarkesa, mbingarkesa për klinikat tona, të cilat jo rrallëherë është dashur t’i shndërrojmë në klinika të COVID-19.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus më 13 mars 2020, Kosova numëron në total rreth 78 mijë raste të infektimit, nga të cilët 1 mijë e 736 kanë vdekur.