Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë ka nisur fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” dhe gjatë kësaj periudhe, institucionet shtetërore e organizatat e shoqërisë civile organizojnë një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin kundër dhunës me bazë gjinore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot mori pjesë në orën e parë në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Në të gjitha shkollat në mbarë vendin, ora e parë iu kushtua ndërgjegjësimit kundër dhunës me bazë gjinore. Haxhiu iu tha nxënësve se dhuna, asnjëherë nuk është e pranueshme dhe se nuk duhet të kthehet me dhunë por të raportohet.
Ministria e Drejtësisë e ka përgjegjësinë që të adresojë politikat për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime të cilat kanë për qëllim që të rehabilitojnë personat të cilët bëjnë veprime të tilla, pra kryejnë dhunë në familje apo janë të dhunshëm në ambientin familjar, sikurse kemi ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim që viktimave t’iu ofrohen shërbime që u nevojiten, tha Haxhiu.
Shteti ofron ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje, teksa po ashtu ka ndërmarrë hapa për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunë seksuale. Ata mund të dënohen me dënim plotësues nga Gjykata që do t’iu pamundësonte punësimin në institucionet shtetërore. Dhuna nuk është zgjidhje.
Sipas të dhënave, nga janari i këtij viti deri në muajin nëntor, ishin 2.585 viktima të dhunës në familje: 2055 gra dhe 530 burra. Shumica e viktimave ishin të grupmoshave 30-40 e 20-30. Nga viti 2010 e deri në prill 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” nis në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave” dhe përfundon më 10 dhjetor, në Ditën e të drejtave të njeriut.
Raporto rastet e dhunës në familje: 0800 19 999
Numri kontaktues i Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112
Numrat kontaktues të shtëpive të sigurta: 0800 800 01 dhe 0800 21 000
Raporto rastet e dhunës në Policinë e Kosovës: 192